Në ditën e pavarësisë, veteranët kërkojnë unitet të spektrit politik
Sharr Travel

Në ditën e pavarësisë, veteranët kërkojnë unitet të spektrit politik

Komuna e Malishevës ka shënuar me aktivitete të ndryshme Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve është mbajtur edhe mbledhja solemne e Kuvendit të Komunës, si dhe janë bërë homazhe dhe nderime në vendet e shenjta të historisë sonë, kryesisht të luftës së fundit.

Në mbledhjen solemne fjalime kanë mbajtur kryetari i Malishevës, Ragip Begaj dhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Rrahim Morina, të cilët kanë folur për rrugëtimin e Kosovës deri në shpalljen e pavarësisë, duke i përmendur në mënyrë kronologjike ngjarjet më të rëndësishme që kanë ndodhur.

Ndërsa përfaqësuesi i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Malishevë, Metush Kryeziu, kërkoi unitet të spektrit politik në vend.

“Kosovën e presim sfida të mëdha, ndërsa politika shqiptare është shumë e përçarë dhe sot nuk dihet se kush është patriot d he partitë politike nuk kanë të drejtë të përvetësojnë vlerat e UÇK-së dhe dëshmorët e kombit”, tha ai.

Kryeziu bëri thirrje për unitet të spektrit politik dhe kërkoi që të mos njolloset lufta e drejtë e UÇK-së, nga individë të caktuar brenda subjekteve të politike dhe të mos njollosen subjektet politike nga veprimet individuale të personave që përfaqësojnë antivlera.

Gjatë ditës me rastin e 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës janë bërë nderime para shtatores së komandantit legjendar Adem Jashari, te pllaka me emrat e civilëve të vrarë gjatë luftës së fundit dhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevë, Kleçkë dhe Prekaz.