E diela pritet të jetë ditë pushimi edhe në Ferizaj

E diela pritet të jetë ditë pushimi edhe në Ferizaj

Gjatë ditës së sotme është mbajtur mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Financa e kryesuar nga Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi-Bytyçi.

Në këtë mbledhje mori vëmendje aprovimi i Rregullores për Caktimin e Orarit të Punës së Veprimtarive Afariste dhe Veprimtarive të tjera në territorin e Ferizajt, rregullore kjo që pritet të merr dritën jeshile në mbledhjen e radhës së Kuvendit të Komunës.

Këtë rregullore para anëtarëve të KPF-së, e ka prezantuar drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Zekir Bytyqi.

Pikë tjetër në këtë mbledhje ishte edhe propozim-vendimi për rritjen e të hyrave vetanake për vitin 2019, propozim – vendim për bartjen e mjeteve nga viti 2019 në vitin 2020, si dhe propozim-vendimi për ndarjen e mjeteve financiare. Edhe këto pika të rendit të ditës, u lan që të diskutohen në mbledhjën e kuvendit.

Ndërkaq drejtori i Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit Sabri Murseli, ka bërë dy propozim- vendime për dhënien në shfrytëzim të ngastrës kadastarale 338-2 ZK në Varosh si dhe propozimin për ndarjen e pjesës së ngastrës kadastrale 856-1 të Zonës kadastrale në Babush të Ri.

KPF-ja po ashtu morri vendim edhe për propozim- vendimin për Plotësim Ndryshimin e Rregullores të Komunës për Transparencë, propozim – vendimin për vënien në diskutim publik të Draft Statutit të Galerisë së Arteve “Ismail Rama” në Ferizaj, si dhe kërkesa për caktimin e dy anëtarëve nga Kuvendi për Komisionin për ndarjen e bursave për student për vitin 2019-2020.