Qentë endacakë vazhdojnë të paraqesin rrezik për qytetarët e Kosovës
Albulena Bytyqi, Radio Kosova
Qentë endacakë vazhdojnë të paraqesin rrezik për qytetarët e Kosovës. Edhe pse shpesh është kërkuar një zgjidhje për këtë problem, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur, pavarësisht iniciativave të shumta.
Jo të rralla kanë qenë rastet kur edhe fëmijët janë sulmuar nga këto kafshë. Institucionet e vendit nuk kanë statistika të sakta për numrin e qenve endacakë, por thonë se sapo të aprovohet buxheti për vitin 2020, do të fillojnë me trajtimin e tyre në terren.
Çështja e qenve endacakë, e cila deri më tani ka marrë edhe jetë njerëzish, ende mbetet problem mjaft i theksuar në të gjitha komunat e Kosovës. E për trajtimin e këtyre qenve, Lamir Thaqi, zyrtar për Informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, tha për Radio Kosovën, se sapo të aprovohet buxheti për vitin 2020, do të dalim në terren për t’i trajtuar qentë në gjithë territorin e vendit.
"Ne kemi paraparë se në vitin 2020 po sa të aprovohet buxheti, ne menjëherë do t’i nënshkruajmë kontrata me praktikat veterinare, për shkak se të gjitha procedurat e tjera të prokurimit janë kryer gjatë vitit të kaluar, dhe presim që sa të aprovohet buxheti për këtë vit, t’i nënshkruajmë kontratat dhe të fillojmë me shërbime në terren", tha ai.
Në një përgjigjeje me shkrim, Komuna e Prishtinës i ka thënë Radio Kosovës se përmes operatorit ekonomik ka trajtuar me metodën KSVL(kastrim, sterilizim,vaksinim dhe lirim) shumë qen endacakë të cilët qëndrojnë në hapësirat publike.
"Është e vështirë të sistemohen të gjithë, por synimi është që të gjithë qentë të sistemohen gradualisht. Shumica e qenve në hapësirat publike janë të trajtuar me KSVL, trajtim ky i cili e ndalon tërbimin. Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e strehimores për qentë endacakë dhe trajtimin e tyre si dhe pilot-projektin për 5 pikat ushqyese për qentë në territorin e Prishtinës.
Ditë më parë Komuna e Prishtinës ka nisur projektin “Pikat ushqyese për qentë endacakë” në favor të respektimit të mirëqenies së qenve endacakë. Projekti ka filluar me 5 pika/stacione pilotuese të “pikave ushqyese” për qentë endacakë, së bashku me njerëz të vullnetit të mirë që kanë ndihmuar që ky problem të zgjidhet sistematikisht dhe në mënyrë institucionale.























