Reduktimet e rrymës janë bërë përditshmëri për muaj të tërë në Vlashnje
Valbona Musliu
Banorët e fshatit Vlashnje të Komunës së Prizrenit po përballen me mungesë të energjisë elektrike tash e tre muaj.
Përpos ndërprerjeve, problem po paraqet edhe tensioni i ulët i rrymës në trafo elektrike, ndërsa edhe mungesa e ujit është prezent për shkak të mos furnizimit të pompave mjaftueshëm. Banorët po kërkojnë zgjidhje nga KEDS. Këta të fundit thonë se erërat e forta kanë shkaktuar telashe.
Rreth 100 familje në fshatin Vlashnje të Komunës së Prizrenit netët po i kalojnë pranë qirinjve. Reduktimet e rrymës janë bërë përditshmëri për muaj të tërë, ndërsa tensioni i ulët i energjisë e pamundëson edhe furnizimin me ujë. Asamblisti i Kuvendit të Prizrenit, Petrit Hoxha, i cili vjen nga ky fshat, shpreh shqetësimin me gjendjen. Thotë se banorët jetën po e bëjnë në terr.
“Qe 15 vite e kemi ketë problem. Një erë më e lehtë nëse paraqitet rryma ndalet. Ka pas raste kur nuk kemi pasur energji nga 48 orë, por më shqetësuese është se edhe uji i pijes mungon si pasojë e ndërprerjes së rrymës, pasi furnizohemi me pompa të ujit. Çdo ditë e më shumë po vështirësohet jetesa në fshat” thotë ai.
Se mungesa e rrymës po u shkakton telashe edhe në amvisëri e pohojnë banorët e këtij lokaliteti.
“Rrymë s’kemi, ujë s’kemi, problemi më i madh për jetën është rryma e uji. S’ka se qysh me qenë më keq. Po furnizohemi me një fazë të rrymës ndërsa reduktimet zgjasin nga 12 orë. Mund të ketë rrezik edhe për familjarët të cilët kalojnë mbi kabllo çdo ditë’ thonë banorët.
Ata po kërkojnë zgjidhje nga ana e KEDS-it. Thonë se shpesh herë i kanë paraqitur shqetësimit por nuk kanë hasur në bashkëpunim. Presin që të veprohet sa më shpejt. Madje Hoxha tregon edhe për takimet që i kanë zhvilluar me menaxhmentin e distriktit në Prizren.
“Artan Kazaz, menaxher i KEDS-it, na premtoi se do rregullohet, por nuk ka ardhur ekipi . Po na neglizhojnë si lokalitet. Ne si lagje me rreth 100 shtëpi furnizohemi me një trafo. Kemi kërkuar shtimin e një trafoje të re. Prej dhjetorit të vitit të kaluar 100 shtëpi po furnizohen nga një fazë të energjisë” tregon Hoxha..
Por, në distriktin e KEDS-it në Prizren thonë se erërat e forta kanë shkaktuar telashe në rrjetin energjetik jo vetëm në fshatin Vlashnje. Premtojnë zgjidhjen e problemit. E banorët thonë se nuk do të ndalën me kërkesat e tyre derisa t’u bëhet zgjidhje njëherë e përgjithmonë.























