Qytetarët e Shtimes kërkojnë riemërimin e shkollave
Një grup qytetarësh sot kanë dorëzuar Kuvendit Komunal të Shtimes një peticion me rreth 2 mijë nënshkrime, me kërkesën për emërimin dhe riemërimin e disa shkollave me emra të dëshmorëve të kësaj komune, si dhe ngritjen e shtatoreve për dëshmorët.
Ky peticion përfshin kërkesën për ndryshimet vijuese: Sh.M.L. Profesionale – Shtime, të emërtohet Sh.M.L. Profesionale ‘Jetë Hasani & Ruzhdi Salihu’ në Shtime. Sh.M.U ‘Bajram Curri’ – Petrovë, të riemërtohet Sh.M.U ‘’Tre dëshmorët e Petrovës’’ në Petrovë (Xhemshir Xhemshiri, Fadil Rashiri & Kadri Ademaj).
Sh.M.U ‘Emin Duraku’ – Belincë – të riemërtohet Sh.M.U ‘’Afrim Musliu’’ në Belincë, vendosjen e shtatores së veprimtarit të çështjes kombëtare Ahmet Shtimja në sheshin ‘Ahmet Shtimja’ në Shtime, ndarja e vendit për vendosjen e shtatoreve për dëshmorët e UÇK-së: Jetë Hasani, Afrim Musliu dhe Ruzhdi Salihu dhe vendosja e shtatoreve në mes të rreth-rrotullimit në Shtime – Belincë – Zborcë – Reçak në Shtime.
Qytetari Nazmi Ramadani tha se kjo iniciativë është realizuar me vullnet të qytetarëve, ku dhe falë përkrahjes së këtyre të fundit janë grumbulluar mbi 2 mijë nënshkrime.
Ai theksoi se presin nga Komuna e Shtimes që në mbledhjen më të afërt ta diskutojnë këtë çështje dhe t’i kryejnë këto detyra që sipas tij i kanë amanet nga dëshmorët.























