Begaj e njofton kolonelin Gatti me projektet zhvillimore në Malishevë
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj priti në takim kolonel Nattale Gattin, Komandant i Komandës së Regjionit të KFOR-it, në regjionin e Pejës.
Begaj dhe Gatti, biseduan për shumë çështje të zhvillimeve aktuale në komunën e Malishevës, që nga çështja e sigurisë, ku u vlerësua situatën stabile dhe e menaxhueshme.
Në vazhdim biseduan për infrastrukturën në arsim, shëndetësi, rrugë, kanalizim, ujësjellës, mjedisin hapësinor e deri të çështjet politike, lokale dhe qendrore.
Për të gjitha këto çështje, Begaj njoftoi kolonel Gattin me gjendjen me infrastrukturën.
“Malisheva si Komunë, me gjithë se me një buxhet të vogël për investime kapitale e me kërkesa të mëdha për zhvillim ekonomik, ia kemi arritur, që t’u ofrojmë kushte për mësim sa më cilësor nxënësve nga mësimdhënësit, në kompletimin e infrastrukturës shkollore, po ashtu në shëndetësi, rrugë, kanalizime, kurse ende kemi nevojë dhe po punojmë në këtë fushë si dhe për të ardhmen në krijimin sa më të mirë të ambientit për kushte në punësim”.
Kolonel, Nattale Gatti e përgëzoi Begajn për këtë angazhim në shërbim të qytetarëve të Malishevës, dhe i ofroi bashkëpunim në vazhdimësi.
Në fund, Begaj e Kolonel, Nattale Gatti, shkëmbyen dhurata simbolike nga përfaqësimet institucionale.























