Një jetë kushtuar kombit- I jepet lamtumira e fundit profesor Sali Mazrekaj
Është ndarë nga jeta, atdhetari e intelektuali, bashkëveprimtari, veterani i arsimit dhe veterani i UÇK-së, profesori i shumë gjeneratave , Sali Mazrekaj!
Profesor Sali (Zenun) Mazrekaj, lindi më 25.02.1948, në fshatin Voksh .Shkollën fillore kl.I-II i përfundoi në Dranoc , ndërsa vitet tjera i vazhdoi në shkollën fillore ,,Vaso Pasha’’ në Pejë.
Shkollën e mesme –Normale e përfundoi në Pejë .Pas Përfundimit dy vite punoi si mësues në fshatin Drenoc komuna e Klinës .Vazhdoi shkollimin në Universitetin e Prishtinës , përkatësisht Fakultetin Filozofik dega :Gjuhë e Letërsi Shqipe. Që nga viti 1980/81 , filloi të punojë në Gjimnazin ,,Vëllezërit Frashëri’’ në Deçan , si profesor i gjuhës shqipe. Ne vitin 1999-2001, ishte drejtor i Gjimnazit ,,Vëllezërit Frashëri’’ deri në pensionim punoi si Profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe pran këtij tempulli të dijes ku edukoi gjenerata të tëra.
Profi.Sali Mazrekaj të cilit i dhamë lamtumiren e fundit sot , u edukua dhe u brymos nga edukata dhe morali i lartë i familjes së tij.
Në historikun e vështirë , por të lavdishëm të arsimit, Profesor Sali Mazrekaj do të mbetet shëmbëlltyrë e përsosur e njeriut, e mësuesit të përkushtuar deri në sakrificë për edukimin kombëtar dhe qytetarë të mijëra nxënësve të komunës së Deçanit.
Profesor Salihu më të filluar lufta e UÇK-së ishte rreshtuar radhëve të gjata të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjenerata te tëra e kishin idol si intelektual dhe atdhetar! Ishte njeri i “ heshtur” fjalë pak, por i vendosur dhe i përkushtuar në punë e në veprime!
Për jetën dhe veprën e Profesor Sali Mazrekaj,në këtë komemoracion folën i pari i komunës z.Bashkim Ramosaj , Drejtori i DKA-së z.Bekim Vishaj , Drejtori i Gjimnazit ,,Vëllezërit Frashëri ‘’ z.Hamid Qorraj , deputeti z.Rasim Selmanaj, Prof.Bajram Tafaj ,z.Qazim Maloku, Prof..Nezir Avdimetaj , Prof.Selim Lokaj .
Në emër të familjes më një falënderim për babin e sajë foli vajza e Profesorit tashmë të ndjerë Majlinda Mazrekaj.
Profesor Sali Mazrekaj nga sot do të pushoi i qetë përjetësisht në varrezat e qytetit në Deçan.























