`Anibar` hapë Qendrën Frankofone në Pejë
Organizata kulturore “Anibar” krijon urë lidhëse mes kulturës kosovare dhe asaj franceze duke hapur Qendrën Frankofone në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë.
“Anibar”, përmes një njoftimi për media, thotë se ka kënaqësinë që të kumtojë lajmin për hapjen e Qendrës Frankofone, të parës në qytetin e Pejës, në kuadër të kinemasë “Jusuf Gërvalla” në hapësirat e Akademisë së Animacionit.
Hapja e kësaj qendre u mundësua me arritjen e një Marrëveshje të Bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës Franceze, Komunës së Pejës dhe "Anibar", njofton kjo organizatë.
Sipas "Anibar", Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës Franceze, Komunës së Pejës dhe Anibar ka për qëllim ofrimin e programeve edukative dhe kulturore në qytetin e Pejës.
Po e japim të plotë njoftimin e ‘Anibar’"
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Organizata kulturore “Anibar” ka kënaqësinë që të kumtojë lajmin për hapjen e Qendrës Frankofone, të parës në qytetin e Pejës, në kuadër të Kinema “Jusuf Gërvalla” respektivisht hapësirave të Akademisë së Animacionit. Si organizatë e cila në vazhdimësi ka punuar në intensifikimin e bashkëpunimeve me botën e jashtme kulturore dhe ofrimin e sa më shumë mundësive sidomos për të rinjtë, jo vetëm nga Peja por gjithë Kosova, jemi tejet të lumtur për hapjen e kësaj qendre sot.
Hapja e kësaj qendre u mundësua me arritjen e një Marrëveshje të Bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës Franceze, Komunës së Pejës dhe Anibar e cila u nënshkrua sot. Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje prezent ishin edhe ambasadorja franceze, shkëlqesia e saj, znj. Marie Christine Butel, kryetari i Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri dhe drejtoresha e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Animuar - Anibar, znj. Arba Hatashi. Përgjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, shkelqësia e saj, znj. Marie Christine Butel foli për historikun e bashkëpunimit të Ambasadës Franceze me Anibar, ndërsa znj. Arba Hatashi përveç prezentimit të tri animacioneve të shkurtra të realizuara nga nxënësit e Akademisë së Animacionit Anibar, prezentoi edhe punën e Anibar, Kinema “Jusuf Gërvalla” dhe Akademisë së Animacionit.
Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës Franceze, Komunës së Pejës dhe Anibar ka për qëllim ofrimin e programeve edukative dhe kulturore në qytetin e Pejës. Qendra Frankofone në Pejë, do të shërbejë si urë lidhëse e organizatave të ndryshme që punojnë në Pejë e Kosovë, me organizata të ndryshme që fushën e veprimit ose prejardhjen e kanë në Francë. Kjo qendër ndër tjera do të promovojë kulturën franceze, duke ofruar kurse të gjuhës frënge si dhe aktivitete tjera kulturore e edukative në Komunën e Pejës. Përmes Qendrës Frankofone në Pejë, të rinjtë dhe të rejat, por jo vetëm, do të kenë mundësi të shumta për të mësuar mbi kulturën e pasur franceze. Marrëveshja e sotme me Ambasadën Franceze, është një hap tjetër në shtegun e gjatë të bashkëpunimit që Anibar ka realizuar në fusha të ndryshme.
Ju informojmë po ashtu se hapësira e Qendrës Frankofone, është po e njëjta që përdoret edhe nga Akademia e Animacionit e themeluar nga Anibar, dhe që është restauruar dhe rivitalizuar si pjesë e Kinema “Jusuf Gërvalla” në vitin e kaluar me financim të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
























