Asnjë rast me virusin COVID 19 në Komunën e Kaçanikut
Shtabi Komunal për Prandalimin e pandemisë COVID 19, ka mbajtur takimin e radhës të udhëhequr nga Kryetari i Komunës Besim Ilazi dhe nga Kryesuesja e këtij shtabi Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale Diana Reka.
Në këtë takim u bë e ditur edhe njëherë se deri më tani nuk ka asnjë rast me këtë virus në Komunën e Kaçanikut. Shtabi komunal bëri thirrje që të mos bëhet panik në opinion, por njëkohësisht të ndiqen me kujdes udhëzimet dhe rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtarë i Shëndetit Publik.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe shefat e grupeve parlamentare në kuvendin komunal të prirë nga Kryesuesi Kemajl Murseli, të cilët u njoftuan për gjendjen aktuale si dhe masat parandaluese që janë ndërmarrë nga institucionet komunale. Kryetari Ilazi bëri të ditur se si masë parandaluese, është bërë dezinfektimi i objekteve publike, ndërsa shprehu shqetësimin e tij për mungesë të ushqimeve esenciale sidomos tek disa familje me asistencë sociale.
Kryetari njoftoi se Shoqata “ Nëna Terezë” ka ndihmuar 30 familje me pako ushqimore, të cilën njëkohësisht e falenderoi për këtë kontribut. Në këtë takim u bë e ditur se nga 4 marsi është duke u dërguar një ekip mjekësor edhe nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Kaçanik në pikën kufitare në Han të Elezit, ndërsa kjo qendër është e gatshme me të gjitha kapacitetet që ka në dispozicion për të qenë në shërbim të qytetarëve.
Shkollat dhe xhamitë vazhdojnë të jenë të mbyllura si dhe bizneset me veprimtaritë që janë ndaluar nga institucioni qendror. Nga qytetarët kërkohet t'i shmangin lëvizjet e panevojshme, të marrin masat mbrojtëse si dhe të ruajnë qetësinë publike, kurse rastet e dyshuara të vetizolohen dhe të kërkojnë asistencë profesionale shëndetësore.























