Jabllanica ishte shndërruar në çerdhe të Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare
BKT
Kosovë

Jabllanica ishte shndërruar në çerdhe të Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare

Arbenita Marmullaku

Dushkaja me rrethinë, shpeshherë me gjakun e saj, ujiti rrënjët e trungut të tharë të kësaj toke të pushtuar nga shumë armiq. Në themelet e saj, u jetësuan shumë dëshmorë e martirë. Kjo sikur na përkujton luftërat që nga koha e Skënderbeut dhe përpjekjet e vazhdueshme për çlirimin e tokave shqiptare. Në malet e Dushkajës, atje ku shqiponjat ngrenë folenë e tyre, shtrihet Jabllanica, e cila për të satën herë gjatë historisë, u përgjak e u ngrit sërish në këmbë.

Jabllanica, që para njëqind vjetësh, me kullat e lashta prej guri, ishte shndërruar në çerdhe të Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare. Për këtë, Jabllanicës së Dushkajës, shpeshherë ia kishin mësyrë armiq të shumtë, por që ishin kthyer prapa të thyer e të turpëruar. Në vazhdën e agresionit të tyre, forcat serbo-malazeze, ia kishin mësyrë sërish Jabllanicës. Avdi Smajli, rrëfen se në mëngjesin e hershëm të 9 korrikut, të vitit 1921, filluan masakrat më të tmerrshme ndaj banorëve të Jabllanicës. U vranë e u masakruan 64 burra, në mesin e të cilëve edhe  një fëmijë 13 vjeçar.

“Masakra e vitit 1921, mund të tregoj se në të gjitha këto katunde përreth kanë ardhur nga Peja e Gorozhdecit të përgatitur se kush po i strehon ballistët duke i kërkuar me emër dhe kanë ardhur në Jabllanice. Jabllanica, ka qenë çerdhe e patriotëve të mëdhenj si Bajram Curri, Azem  Bejta e  shumë të tjerë. Kështu që kanë hyrë në mëngjes dhe i kanë rrethuar 13 familje, kanë qenë prej këtyre 64 burra, ku ka pasur edhe mysafirë nga Drenica e rrethi, që i kanë gri”, tha ai.

Masakrat ishin të tmerrshme. Një ushtri e tërë kundër një fshati të vogël, banorët e të cilit kishin zemër çeliku. Avdi Smajli tregon se në mesin e dëshmitarëve që i mbijetuan asaj dite kobzezë, ishte edhe babai i tij, të cilit ai ia ka lënë këtë rrëfim:

“Baba im ishte 12 vjeçar atë kohë, pasi është bërë kjo masakër babai si fëmije ka dalë dhe ka ikur duke i kaluar dy katunde dhe ka shkuar në Bokshiq. Kështu që gjatë natës ka hipur në lis. Ajo na ka prekur  ma së shumti. Gjatë gjithë natës ka qëndruar në lis pa asgjë duke u mbrojtur nga kafshët e egra derisa është bërë mëngjes dhe më pas ka shkuar në Gllogjan. Me kafshë e pasuri janë djegur krejt, nuk kanë lënë asgjë në këtë tokë”, shtoi ai.

Nga ajo ditë, forcat serbe e kishin vë në shënjestër fshatin Shqiponjë të Dushkajës. Çdo burrë i atij fshati, pothuajse ishte rritur me vetëdijen se në çdo kohë do të mund të vijë ora për t`ia kthyer pushkën armikut. Këtë e tregon edhe Hysen Brahimaj, ish pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai thekson se nga viti 1992, këmbë e asnjë polici serbo-malazez nuk ka shkelur në Shqiponjën heroike.

“Viti 1992 është rilindja jonë që mund të them e epokës sonë,  ka qenë një organizim i jashtëzakonshme i fshatit. Në viti 1994 ku edhe janë formuar celulat e para të  UÇK-së në fshatin tonë, nga  personi Nazmi Brahimaj, janë sjellë disa armë këtu në fshat, mirëpo, ishte sasi jo e madhe dhe fshati nuk ishte në dijeni për ato e dinte vetëm një grup i cili ishte i organizuar nga UÇK-ja, të cilët ishin gjithmonë në prapavijë për organizimin e fshatit. Kurse fshati total duke përfshi edhe gjininë femërore ishin organizuar për mos lejimin e ndërhyrjeve të forcave serbe të cilët ishin halë për ne, sepse çdo ditë mundoheshin të hynin në fshat”, tha Brahimaj.

Mars 1993. Një lëvizje që do të shndërrohej në themelet kryesore për çlirimin e Kosovës, tashmë kishte filluar t`i lëshonte rrënjët e saj edhe në Shqiponjë. Tek e fundit, ky vend kishte dekada që ishte shndërruar në çerdhe të idealistëve të shumtë kombëtarë, dhe ishte trasuar rruga të cilën në prag të fillim-pranverës së vitit 1993, djemtë e Shqiponjës filluan mobilizimin për t`ia kthyer njëherë e përgjithmonë pushkën armikut. Se si erdhi deri te mobilizimi flet ish gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lahi Brahimaj.

“Pas rezistencës që u bë në fshat në vitin 1993, me datën9 dhe 12 mars vëllai im, Nazmi Brahimaj, erdhi nga Zvicra dhe biseduam për një ndryshim në organizimin e brendshëm te fshatit. Ishte kërkesë e komandantit të zonës, Ramush Haradinaj, që ne t’i bashkëngjitmi UÇK-së. Ka shkuar Nazmiu në Zvicër dhe ka sjellë 7 armë të gjata, 3 kallashnikovë, 3 snajperë dhe një mitraloz, dhe me ato kemi formuar njësitin e parë në Rrafshin e Dukagjinit në Jabllanicë, pjesë e të cilës ka qenë edhe Luan Haradinaj. Kryesisht kemi shkuar në treshe, çdo njëri kemi pasur të drejtë të formojmë njësi me njerëzit që u ka besuar dhe ka shkuar në baza familjare, sepse nuk ke pasur aparat që verifikon njerëzit se sa mund të dekonspirojnë”, tha ai.

Bashkëluftëtari i Lahi Brahimajtjt, Hysen Brahmiaj, rrëfen se që nga ai moment, në Shqiponjën e Dushkajës, kishte filluar të rridhte jeta krejt ndryshe. Ata, ia kishin dëgjuar aromën lirisë, përmes jehonës së pushkëve çlirimtare.

“Kështu që jeta ka qenë interesant, e grupi ynë e quan tash mosha jonë ma e mira për vitet që i kemi.  Deri në fillimin e luftës, kur dolëm edhe publikisht, ajo që na ka tronditur më së shumti ka qenë rasti i vrasjes se Luan Haradinaj,  me datën 6 maj 1997, ajo ka ngjallur fshatin tonë, rastin në Prekaz që ka ndodhur ne si grup ju kemi përgjigjur atyre aksione. Për shkak të këtyre rasteve ne kemi marrë aksione të shumta gjatë asaj nate vetëm për t’iu hakmarrë pushtetit serb dhe për t’i larguar forcat serbe prej asaj ane”, shtoi ai.

Xhevat Zenelaj, një tjetër luftëtarë i UÇK-së, thotë se që nga 93-ta,  djemtë më të fortë të Shqiponjës, bënin roje gjatë natës. Mesa duket edhe armiku tashmë kishte dëgjuar për mobilizimin e banorëve, prandaj edhe e kishte frikën që të futej në këtë fshat.

“Në  vitin 1993 Jabllanica është organizuar me banorët e saj. Është një rast i veçantë, ndoshta në republikë, forma e organizimit të banorëve të saj kohe. Është bërë një mobilizim i fuqishëm. Një roje që për 8 vite ka bërë kujdestari  natë e ditë. Ka qenë një jetë e zorshme. Ndoshta jeta më e vështirë. Nuk kemi pasur lëvizje as nga Komuna e Pejës, as nga Komuna e Klinës e sidomos as nga Komuna e Gjakovës. Por ia kemi arritur falë qëndresës së banorëve të fshatit deri në formimin e shtabeve lokale dhe formimin e brigadës. Është një periudhë ndoshta më e fuqishme sesa periudha më pastaj. Njerëzit i kanë besuar njëri- tjetrit, ka arritur një pjekuri politike  Sadriu me bashkëvendës dhe është krijuar ajo vetëdija politike kombëtare”, tha 

Tentimi i fundit, i forcave serbe për të hyrë në fshatin Shqiponjë, që atëherë quhej Jabllanicë, ishte shkurti i vitit 1993. Siç thotë Niman Zeneli, vëllai i dëshmorit të kombit ,Zadri Zeneli, forcat policore serbe kërkonin që t`i arrestonin disa të rinj. Por, përballë u kishte dalë Sadri Zeneli, tani hero i kombit, i cili ua kishte prerë udhën forcave policore, duke i kthyer së prapthi sërish.

“Dhe rastësisht Sadri Zeneli u taku me forcat ushtarake serbe të cilët e kanë pyetur se ku e ka shtëpinë Fadil Zeneli, dhe ai u është përgjigjur që nuk e njeh atë gjuhë, sepse këtu çdo herë është folur shqip dhe do të flitet shqip. Në konfrontime verbale kanë filluar edhe konfrontimet fizike, ku i kanë ardhur në ndihmë Xhevat e Halil Zeneli dhe disa tjerë të cilët e kanë çarmatosur policinë serbe, ia kanë thyer radiolidhjen dhe i kanë kthyer andej ka kanë ardhur. Dhe forcat serbe të mllefosur nuk kanë pritur një rezistencë të tillë, pas dy dite kanë ardhur me forca të shtuara. Mirëpo, njërin nga bashkë fshatarët e kanë marrë dhe e kanë vendosur  në atë pizgaverin, apo si quhet ajo makinë  kriminele. Mirëpo kur u rrethuan nga jabllanicasit, të cilët kanë qenë këmbëngulës dhe kane kërkuar ta lirojnë djalin në mënyrë që të ktheni kockat nga keni ardhur, Ata liruan djalin dhe thanë  se ju premtojmë se më nuk do t’ju shqetësojmë dhe nga ajo ditë këmbë e serbit për pesë vite ne Jabllanicë nuk ka guxuar të shkelë” tha ai.

Gjatë viteve të rezistencës, në Shqiponjë tashmë kishte zënë fillin e saj edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Jo vetëm në Dushkajë, por kjo ushtri që lindi nga gjiri i popullit po shtrihej  me të madhe në tërë Kosovën, thotë  gjenerali Lahi Brahimaj.

“Shkelzeni e Dauti kanë vazhduar zgjerimin e UÇK .Kështu që ka vazhduar deri në  vitin 98 dhe në këtë vit forcat serbe kanë sulmuar Prekazin dhe luftë titanike të familjes Jashari, sepse dëgjonim nga këtu të shtëna. Kemi pasur  një sistem të radiokomunikimt. E kam pyetur me radiolidhje komandantin Sylejamn Selimin se çka po ndodh, ka qenë edhe Rexha me të, tha kemi dasme të madhe, i thashë a ju duhen krushqi, tha çdo kush le të bëjë dasmë në shtëpi të vet. Për tri ditë njësit e Dukagjinit kanë kryer 28 aksione në tërë territorin e Dukagjinit. Pastaj me 24 mars  është sulmuar familja Haradinaj njëjtë sikur familja Jashari. Betejë të cilën e fituam por u vranë tre djem të mirë, Gazmend  dhe Agron Mehmeti dhe Him Haradinaj. Dhe kështu ka filluar prej aty mobilizimi i përgjithshëm në krejt Dukagjin. UÇK si bazë kishte Gllogjanin dhe Jabllanicen, më vonë pothuajse krejt Dukagjinin”, shtoi ai.

Shqiponja, dikur bazë e atdhetarëve e patriotëve të paepur të çështjes kombëtare, tashmë ishte shndërruar në çerdhen kryesore të malbardhëve të lirisë. Atyre, që me armikun flisnin vetëm përmes grykëhollës.

 Baza dhe kazermë ushtarake në krejt Kosovën u formua në Jabllanicë ku ushtarët kanë fjetur, kanë ngrënë kanë dalë në terren dhe janë kthyer,  kanë bërë ngritjen dhe zbritjen e flamurit. Kanë qenë 30 djem të Drenicës që janë vendosur, Musë Jashari, Rasim Kiqina e plotë të tjerë të cilët janë vendosur dhe kanë bëre jetë ushtari këtu. Pastaj u vendos që Ramush Haradinaj të jetë komandant dhe shtabi ne Gllogjan” tha ai.

Beteja zhvilloheshin çdo ditë. Kudo po jehonte pushka, e që besa edhe kënga e trimave nëpër vija të frontit. Djemtë e Shqiponjës, sikurse të gjithë Kosovës, ishin betuar në flamur, se nuk do të zmbrapseshin as një hap prapa, pa e çliruar Kosovën. Këtë e dëshmojnë edhe ata që sot ende i kanë të freskëta kujtimet e luftës.

“Çdo ditë në fshatin Shqiponjë ka pasur luftë dhe asnjëra ditë nuk ka qenë më e lehtë se tjetra. Për kujtesën time është data 5 prill. Këtë ditë janë vrarë Naser Ibrahimi dhe Sadri Zeneli, dy djemtë më të zotët dhe me më përvojë.  Sadri Zeneli u vra poshtë 100 metra nga këtu, kurse Naser Ibrahimi u vra te shkolla prej një distance të madhe dhe pothuajse e ka pasur të vizatuar plumbin në lule të ballit me snajper. Mllefi i forcave serbe ka qenë prej 93-ës dhe çdo ditë ka  shkuar duke u rritur e jo duke pakësuar, sepse  gjithë janë strehuar këtu dhe mllefi i tyre veç është shtuar. Djemtë e Jabllanicës kanë qenë të mobilizuar por ka pasur edhe të Drenicës e Pashtrikut. Shembull është Faruk Elezi, djalë i ri që Sylejman Selimi e kishte kthyer në luftë sepse ka qenë djalë  hasreti i shumë motrave dhe ai ka ardhur këtu dhe ka qëndruar në vijë në shumë luftime dhe ka rënë në fshatin Grabaniceë të 1898-tes”, tha Brahimaj.

Kujtimet për betejat që i zhvilloi UÇK-ja në Shqiponjë, Dushkajë e Dukagjin, i ka edhe Xhevat Zenelaj. Ai, pas gati 22 vjetësh, sjellë në kujtesë betejën e korrikut të vitit 1998, ku për më shumë se 8 orë kishin luftuar ballë për ballë me forcat serbe.

“Beteja pikërisht ku jemi këtu është zhvilluar, diku në korrik 98-ës, ku dhe është  hera e parë që forcat serbe arrijnë me hy në gjysmën e fshatit, që nga 93-ta. Me kujtohet ai moment. Ka qenë shumë e rëndë hyrja e policisë serbe. Kanë qenë me tanke, mjete të blinduara, ushtri të rregullt, dhe këtu te kompleksi u bë një luftë e jashtëzakonshme diku 7 ose 8 orë. E përmendi me respekt të veçantë Daut Haradinaj  i cili u tregu djalë i fuqishëm atë ditë, Bujar Haradinaj, Arben Gulinovin , Naser Brahimin e shumë luftëtarë të Jabllanices. Çfarë beteje u zhvilluar at ditë. Kemi gjetur edhe armë edhe gjak të tyre. Prej nga këtu shihnim shtëpi duke u djegur por kemi rezistuar, i kemi ndjekur dhe atë natë serbët nuk e kanë bërë gjumin në Jabllanicë”, shtoi ai.

Po, kush ishte heroina e cila u kishte dhënë bukë mijëra luftëtarëve të lirisë? Padyshim, nënëmadhja Aze Brahimaj, që ndryshe njihet edhe si “nëna e UÇK-së. Selim Ademi, shpeshherë ishte ngrohur dhe ushqyer nga duart e nënës Azë. Ai me nostalgji edhe sot kujton kontributin e saj që kishte pritur e përcjellë shumë pjesëtarë të UÇK-së, anekënd Kosovës. Madje, edhe figura të larta që sot mbajnë emër në Kosovë.

“Ne kemi qenë te varur nga ajo. Ne kemi rrugëtuar në terrene të ndryshme, lëvizjen që e kemi krijuar atëherë në 92, 3,4 neve na ka ndihmuar shumë ajo. Ne si djem të ri ishim të lodhur , të rraskapitur e kur vinim e gjenim shtëpinë ngrohtë , kemi ardhur në çdo kohë e aty në 5 të mëngjesit e kemi gjetur ngrohtësinë e saj, ushqimin e të gjitha të mirat,  Por na u deshtë edhe atë ta aktivizojmë pak, sepse kishim disa djem në Gjakovë në terrene të ndryshme dhe  që na u dashke ka një çantë të vogël me armatim me ia dhënë që ta shpërndajë në vende të tjera. Se neve na dukej qe veç në Shqiponje jemi mbyllur e kishim nevojë ta shpërndajmë rrjetin pak. Një njeri si ajo, rrallë do të këtë në Kosovë, ushqimet e saj e te mirat e saj nuk i harroj kurr”, tha ai.

“Ajo ka pritur në konakun e saj të gjithë krerët. Rendë kanë qenë në truall të Brahimajve ku nëna Aze u ka shërbyer me ushqime, me veshmbathje e me të gjitha të mirat. Ajo priti Rexhep Selimin,  Kadri Veselin , Daut e Ramush Haradiaj, Sylejamn Selimi, Hashim Thaçin e të gjithë me rendë.”

3 gusht 1998. Po zhvillohej luftë e ashpër mes Ushtrisë Çlirimtare dhe forcave serbe. Po atë ditë bie heroikisht edhe nëna Azë Brahimaj. Ajo atë ditë, iu bashkua karvanit të gjatë të atyre djemve që ishin flijuar para saj, e që ajo u kishte dhënë bukë e ujë nëpër istikame. Betejë pas beteje, arriti edhe liria. Në kompleksin memorial në Shqiponjë, sot pushojnë të qetë 37 dëshmorë, që edhe sot u bëjnë roje atdheut të tyre në liri. 


MË SHUME NGA Kosovë