​Drenasi kërkon furnizim me mjete e pajisje mjekësore

​Drenasi kërkon furnizim me mjete e pajisje mjekësore

Komuna e Drenasit kërkon nga Ministria e Financave dhe Transfereve të bëjë furnizime me mjete e pajisje mjekësore emergjente ose të aprovojë ndarjen e mjeteve financiare për të tejkaluar gjendjen emergjente shëndetësore në komuna.

Më 27.02.2020, Kuvendi i Komunës së Drenasit, ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve në vlerë prej 229.200 euro, vendim për bartjen e mjeteve financiare për menaxhimin e situatës së krijuar nga virusi Covid-19.

Ligjshmëria e aktit të Kuvendit nuk është marrë ende nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, përkatësisht nga Ministria e Financave dhe Transfereve, ndërkohë që Komuna e Drenasit shpreh shqetësimin se nevojat dhe kërkesat emergjente dhe planifikimin po rriten çdo ditë.

Komuna e Drenasit, ka kontaktuar me MAPL-në, përkatësisht me sekretaren e kësaj ministrie për të konfirmuar aktin e ligjshmërisë, por ajo ka deklaruar se Ministri a e Financave ende nuk e ka kthyer vlerësimin.

“Edhe një herë kërkojmë nga Ministria e Financave ta kthejë në MAPL aktin e ligjshmërisë së Kuvendit të Komunës së Drenasit, ose të merr përsipër niveli qendror furnizimin me pajisje emergjente”, thuhet në komunikatë.

Për hir të transparencës, Komuna e Drenasit ka publikuar listën e materialeve preventive të dërguar nga Ministria e Shëndetësisë nga data 16.03.2020 deri më 01.04.2020.