Prishtina bëhet me tunel dezinfektues
Sharr Travel

Prishtina bëhet me tunel dezinfektues

Në oborrin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë është vendosur tuneli dezinfektues, ku qytetarët do të kalojnë para se të hyjnë në tendën e vendosur për të kontrolluar të dyshuarit me Covid-19.

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me kompaninë vendore “Te Pema” e kanë bërë përurimin sot, aty kryetari i Prishtinës u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi pavarësisht vendimeve për kufizim të lëvizjes. 

Shpend Ahmeti tha se vlerëson që më mirë është që të merret një vendim i njëjtë në të gjithë Kosovën, për kufizim të lëvizjes, pas 13 prillit kur hyn në fuqi aktvendimi i Kushtetueses.

Ai tha se janë në konsultim me kryetarët e komunave në të gjithë Kosovën, dhe nesër gjithashtu pret ta takojë kryetaren në detyrë të Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin dhe ministrin në detyrë të Shëndetësisë Arben Vitia.

“Besoj që gjatë ditës nesër do të konsultohemi me ministrin e shëndetësisë, Vitia, që të flasim se cila është mënyrë më e mirë, ndërkohë kemi kontaktuar të gjithë kryetarët e komunave që të mbajmë një mbledhje si kryetar të komunave, sepse ne ballafaqohemi secili individualisht me çështjet në komunat tona, dhe duhet të koordinohemi si kryetar se si t’i qasemi në mënyrë që vendimi të jetë i njëjtë për të gjithë, nuk do të ishte mirë tash një komunë me marr vendim prej orës 5, një prej 7. Një prej 3, do të ishte mirë që të koordinohemi, në këtë fazë jemi duke i mbledh sugjerimet tona që t’i sugjerojmë nivelit qendror, se a kalon në Kuvend apo e bën Ministria e Shëndetësisë u mbetët atyre”, tha ai. 

Këtë deklaratë i pari i kryeqytetit e bëri derisa përuroi tunelin dezinfektues në oborrin e QKMF-së në Prishti në.

“Këtë e kemi vendosur këtu, sepse mendojmë që në Prishtinë koncentrimi më i madh i njerëzve të cilët mendohen që e kanë Covid është në këtë pjesë. Kërkojmë prej secilit qytetar para se të hyjë në tendë, që të dezinfektohet, po ashtu pas daljes të ketë dezinfektim. Ajo çka është interesant është se kjo është bërë në bashkëpunim me kopani vendore, kompaninë ‘Te Pema’, është produkt komplet kosovar, të cilin me shtypje, do ta kemi dezinfektuesin i cili me një shtypje të butonit lëshohet brenda dhjetë sekondave, në mënyrë që të mos shpenzohet gjithë kohën dezinfektuesi, por vetëm kur kalon dikush në tunel”, tha Ahmeti.

Ai tha se një tunel i tillë ka mundësi që të bëhet edhe në objektin e Komunës së Prishtinës, për shkak të lëvizjeve të qytetarëve.

Ahmeti gjithashtu bëri të ditur se nesër Komuna e Prishtinës ka thirrur mbledhje të Kuvendit Komunal për të prezantuar pakon 10-pikëshe të komunës për masat që po merren në aspektin ekonomik.

Ai tha se do të prezantojnë edhe një program që kërkon nivelin qendror që të intervenojë, i cili ka të bëjë me grante për biznese në komunën e Prishtinës.

Deri tani në Prishtinë janë 25 raste të infektuar me Covid-19.