VIDEO: Malisheva në hall edhe me rriqërat
BKT
Kosovë

VIDEO: Malisheva në hall edhe me rriqërat

Valjeta Shala, RTK

18 pickime janë regjistruar në QKMF në Malishevë.Pritet dezinfektimi i tyre.

Përveç pandemisë së Koronavirusit, Malishevës iu shtua edhe një shqetësim tjetër.
Janë pikërisht rriqrat ata që edhe kanë filluar të shfaqen në fshatrat e kësaj komune.

E një nga ta këto ditë ishte edhe një vajzë 6 vjeçe nga fshati Mleqan e cila ishte pickuar teksa luante në oborrin.

“Tash kanë filluar telashet , që dy ditë e kanë kap rriqrat edhe qikën edhe për me hek me qu në Malishevë nuk kisha mundësi shkaku i virusit dhe mu desht vet me ja hek.Kisha ba apel që të marrin masa deri nesër sa nuk është vonë” tha Faik Zogaj, babai i vajzës.

Ndonëse nga viti 2014, përveç pickimeve nuk ka pasur viktima dhe nuk kanë përbërë rrezik, por, nga paslufta, deri në fund të vitit 2013, Malishevës kjo i ka kushtuar me 18 jetë njerëzish.

Në fshatin Mleqan , në te kaluarën nga pickimi i rriqrave një qift kishe gjetur vdekjen si pasojë e helmimit nga to duke u bërë kështu ndër fshatrat me më së shumti viktima nga rriqrat në këtë komunë.

Nuhi Morina, drejtor i QKMF-së në Malishevë, nëpërmjet telefonit tha së që nga 17 marsi deri më sot janë regjistruar gjithsej 18 raste.

Ndërkaq, përmes telefonit edhe kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, na njoftoi së këto ditë pritet edhe dezinfektimi i hapësirave. Ai ka apeluar që të mos krijohet panik pasi tashmë këta rriqra nuk përbëjnë rrezik.

"Nuk jena vonë, jena në kohën e duhur dhe po presim si do të jetë moti në këto ditë. Besoj brenda ditëve do të fillojm me dezinfektimin andaj nuk duhet të shqetësohen banorët pasi tashmë nuk janë të rrezikshme" tha Begaj.

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe QKMF bëjnë thirrje për kujdes dhe njëherësh rekomandojnë qytetarët që të mos qëndrojnë gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre.

IKSHPK dhe QKMF Malishevë bëjnë thirrje për kujdes dhe rekomandojnë qytetarët për sivjet:

1. Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre,
2. Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende vesh rroba të gjata dhe pantallonat futni në çorapë,
3. Duhet të përdorni preparate me të cila lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën),
4. Kontrolloni trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në vatër,
5. Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre,
6. Nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt,
7. Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe),
8. Pastrimi dhe dezinfektimi i stallave të bëhet në vazhdimësi,
9. Mbajtja e higjienës personale në nivelin më të lartë.


MË SHUME NGA Kosovë