Prishtina në ngujim përmes fotografive
Masat që janë marrë nga Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës me synim për të parandaluar përhapjen e virusit Covid-19, konsiderohen ndër më restriktivet në Evropë.
Nga 12 prilli kryeqyteti i Kosovës, Prishtina është vendosur në regjim karantine, pasi autoritetet kishin vlerësuar se numri i të prekurve me virus mund të rritej në mënyrë eksponenciale.
Më herët, kryetari i Prishtinës kishte vendosur të mbylleshin për shëtitje të gjitha parqet e kryeqytetit si dhe sheshi qendror i kryeqytetit, për të shmangur qarkullimin më të madh të qytetarëve dhe kontaktin ndërmjet veti.
Nga 15 prilli në fuqi janë masat edhe më restriktive të lëvizjes së qytetarëve të imponuara nga Qeveria në detyrë në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Mund të lëvizet vetëm një orë e gjysmë gjatë ditës sipas një orari rrëshqitës të përcaktuar në bazë të numrit personal të qytetarëve.
Përkundër mospajtimeve, në përgjithësi, orari i kufizimit të lëvizjes po respektohet nga shtetasit e Kosovës.
Fotoreporteri i RTKLive, Besnik Hamiti, përmes fotografive të bëra ditëve të fundit, sjell atmosferën nga kryeqyteti i Kosovës.







































