18:08 / 10.05.2020
Përfshihet nga zjarri një shtëpi në Arbëri
Një shtëpi është përfshirë nga zjarri në rrugën “Ismet Krasniqi”, në lagjen ‘Arbëria’ të Prishtinës gjatë ditës së sotme, ndërkohë që njësitet e zjarrfikësve kanë dalë në vendin e ngjarjes për fikjen e zjarrit.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi për media në Policinë e Kosovës, Daut Hoxha, i cili ka bërë të ditur se nuk dihet shkaktari i këtij zjarri.
“Është pranuar një informacion për zjarr në Prishtinë në rrugën “Ismet Krasniqi” në Arbëri. Policia ka reaguar dhe menjëherë janë informuar njësite të zjarrfikësve, për reagim në fikjen e zjarrit. Pas raportimeve shtesë do të bëhen të ditura informacione të tjera”, tha Hoxha për KosovaPress.
Ndërkohë, nuk dihet nëse ka të lënduar dhe dëme materiale. /KosovaPress/























