Gashi: Në Prishtinë nuk ka raste të reja me COVID-19

Gashi: Në Prishtinë nuk ka raste të reja me COVID-19

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi ka treguar se nuk ka raste të reja të prekur me virusin COVID-19 në këtë komunë.

Gashi në një prononcim për emisionin ‘Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini ka thënë se nga fillimi i pandemisë gjithsej janë 84 raste, ku 67 persona janë shëruar dhe 15 raste janë ende aktive.

Sipas tij, vetëm dy raste nga kjo komunë janë shtruar në Klinikën Infektive, të cilët janë të gjendje të mirë shëndetësore.

“Nga fillimi i rasteve në Komunën e Prishtinës deri më tani kemi 84 raste me COVID-19, prej tyre kemi 67 të shëruar, ndërsa kemi 15 raste aktive. Nga rastet e datës 8, dy raste që kanë qenë të shtrirë në Klinikën Infektive kanë gjendje të mirë shëndetësore dhe 13 raste janë duke u trajtuar në shtëpi, mirëpo nuk kanë ndonjë simptomë që na tregojnë që duhet të dërgohen në Klinikën infektive”, ka thënë Gashi, përcjell Telegrafi.

Ai po ashtu theksoi që në vazhdimësi kanë aplikuar masat mbrojtëse.

“Nuk ishtë e lehtë që 24 orë të kemi masa mbrojtëse, por ia kemi dal. Prej datës 4 maj kemi gjashtë tenda për vaksimin e fëmijëve. Është një angazhim mjaft i madh ku kërkohen paisje mbrojtëse. Punëtorët shëndetësor janë të pajisur edhe me uniforma dhe maska e doreza. Deri tash jemi mirë, pasi kemi pasur edhe donacione”, tha ndër të tjera Gashi.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës ka treguar po ashtu se sot e kanë një rast të testimit nën dyshimin nëse është i infektuar më virusin COVID-19, mirëpo siç tha ai personi në fjalë nuk është banor i Prishtinës.

“Sot kemi një testim, por ai nuk është banor i Prishtinës. Na e ka dërguar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë”.

Si çdo vit tjetër, siç tha Gashi edhe këtë javë Komuna e Prishtinës është duke dezinsektuar hapësirat përreth.

“Dezinsektimi hapësinor është një projekt i kahmotshëm në Komunën e Prishtinës, mirëpo këtë vit kemi filluar një javë më herët. Nga dita e premte e kemi filluar dezinsektimin dhe do të zgjasë gjashtë ditë. Fillon në mëngjes dhe mbaron diku në mbrëmje”, tha ndër të tjera drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, shkruan Telegrafi