Francezë, zgjidhja kundër Covid-19 në restorante vjen me kabina plastike

Francezë, zgjidhja kundër Covid-19 në restorante vjen me kabina plastike

Për restorantet që shqetësohen se si mund të mirëpresin sërish klientët, por në të njëjtën kohë t’i mbajnë ata të sigurt nga Covid-19, projektuesit francezë e kanë zgjidhjen: një kabinë me plastikë transparente që rrethon darkuesit nga koka deri në tavolinë, ndërsa ata shijojnë ushqimin.

Pajisja në formë cilindrike varet në tavan nga një fije teli dhe duket si një llambadar si dhe ka një të çarë nga pas që lejon klientët të ulen dhe çohen pa problem.

Projektuesi që qëndron pas kësaj shpikje, Christophe Gernigon, tha se risitë e prezantuara në treg i ngjasojnë dhomave të burgut dhe nuk janë të rehatshme.

“Si mund t’i rihapim restorantet tona? Pashë në internet se çfarë po bëhej dhe gjeta disa panele, dhe një prej tyre dukej sikur ishte në burg. Nuk më nxiste që të shkoja e të darkoja. Mendova me vete, ndoshta mund ta bëj pak më joshëse, më të bukur dhe më tepër poetike”, tha Christophe Gernigon, projektues i “Plex’eat”.

Prodhimi në masë i “Plex’eat” do të nisë javën e ardhshme dhe projektuesi Gernigon thotë se ka tërhequr vëmendjen e restoranteve në Francë, Belgjikë, Kanada, Japoni dhe Argjentinë. Çmimi i kësaj kabine plastike në formë cilindrike do të jetë 150 euro copa.

Franca ka lehtësuar disa masa kufizuese, por qeveria nuk ka dhënë ende dritën jeshile për rihapjen e restoranteve dhe bareve, biznese të cilat janë goditur rëndë nga kriza. Pronarë të ndryshëm theksojnë se edhe me kthimin në aktivitet, puna do të jetë e reduktuar nga distancimi social, por nëse përdoret kabina plastike atëherë kjo ndryshon gjithçka.