​Zemaj viziton Pejën
Sharr Travel

​Zemaj viziton Pejën

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, i shoqëruar nga drejtori i IKSHPK-së Naser Ramadani dhe drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu vizituan sot Pejën, ku me autoritetet e pushtetit lokal dhe ato shëndetësore biseduan për pandeminë Covid-19 dhe mënyrën e menaxhimit të situatës në këtë komunë.

Ata u pritën së pari nga Kryetari i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, i cili i ka njoftuar atë me punën e institucioneve komunale në menaxhimin e situatës epidemiologjike rreth Covid-19.

Në komunikatën e PSH-së dërguar medieve thuhet se ministri Zemaj ka përgëzuar autoritetet komunale për angazhimin e treguar në menaxhimin e pademisë dhe ka shprehur përkushtimin që MSh të mbështes komunat me fuqizim të kapaciteteve për të siguruar që situata të manaxhohet në mënyrë korrekte deri në fund.

"Me kryetarin e kësaj komune, z. Gazmend Muhaxherin folëm për shqetësimet e krijuara nga Covid-19, shpalosëm pikëpamjet se si të zvogëlohet sa më shumë ky rrezik që po kanos shëndetin e qytetarëve, sikurse për projektet që do të realizojmë në të ardhmen. U dakorduam që shtabi emergjent të vazhdojë të jetë në gatishmëri, të decentralizohen shërbimet shëndetësore (e të mos jenë vetëm në nivel qendror) dhe që Inspektorati të jetë aktiv maksimalisht që të ndikohet në respektimin e masave anti-Covid-19", tha Ministri Zemaj.

"Peja do të jetë në prioritetin e angazhimit tim, dhe do të mbështetën disa projekte të caktuara, e do të ofrohen ndihma logjistike për shëndetësinë në këtë komunë", tha ai.

Gjatë qëndrimit në Pejë, Ministri me bashkëpunëtorë, ka vizituar edhe Spitalin e Përgjithshëm të Pejës ku ka falënderuar personelin e spitalit për punën e bërë.

Ai është njoftuar nga drejtori i këtij spitali Skënder Dreshaj me punën që bëhet aty si dhe sfidat për menaxhimin e pandemisë.

Ministri Zemaj ka thënë se MSh do të fuqizojë kapacitetet e spitalit me qëllim të përballimit të rasteve me Covid-19, por edhe të fuqizimit të shërbimeve shëndetësore në këtë spital.

Gjatë vizitës aty, Spitalit të Përgjithshëm i është ndarë një autoambulancë nga pjesa e asistencës së BE-së për përgjigje ndaj Covid-19 në Kosovë.