Gjilani i ofron bashkëpunim OAK-ut për tejkalimin e krizës nga COVID-19
Sharr Travel

Gjilani i ofron bashkëpunim OAK-ut për tejkalimin e krizës nga COVID-19

Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, Valbona Tahiri, është takuar sot me përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës, në krye me Skënder Krasniqi, kryetar i Bordit dhe përfaqësues të bizneseve Integj, Orange net, Vali Ranch dhe Guri, me qëllim të identifikimit të mundësive për bashkëpunim reciprok.

Tahiri ka shprehur gatishmërinë e Komunës së Gjilanit për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet, organizatat e shoqërisë civile, përfaqësues të bizneseve që kanë për synim mbështetjen e sektorit privat.

Ajo ka prezantuar pakon e masave me lehtësirat të cilat Komuna e Gjilanit i ka ndërmarrë në mbështetje të bizneseve me qëllim të rikuperimit ekonomik, pasi shumë biznese janë ndikuar nga masat qeveritare për luftimin dhe parandalimin e Covid-19.

Të pranishmit u njoftuan edhe në lidhje me hulumtimin me bizneset e Komunës së Gjilanit për vlerësimin e dëmeve në ekonomi, i cili do të shërbejë për koordinimin e veprimeve të komunës dhe bashkërendimin me nivelin qendror dhe donatorët, për tejkalimin e krizës ekonomike, e shkaktuar nga Covid-19.

Përfaqësuesit e OAK-ut kanë potencuar se kanë bashkëpunim të mirë me bizneset e Gjilanit dhe janë të interesuar të bashkëpunojnë me qëllim që të adresojnë sfidat me të cilat po përballet sektori privat dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes për t’i dhënë një kah pozitiv sektorit më të rëndësishëm në vend.

Ata thanë se OAK është një mundësi e re për afaristët që të kenë bashkëpunim të sinqertë me institucione dhe të tjerët në fushën e legjislacionit përkatës, për të reaguar për problemet me të cilat përballen afaristët dhe bashkërisht, për të gjetur zgjidhje përmes bashkëpunimit me institucionet relevante të vendit.


MË SHUME NGA Nacionale