Shtabi Emergjent i Podujevës apelon për zbatimin e masave mbrojtëse
Sharr Travel

Shtabi Emergjent i Podujevës apelon për zbatimin e masave mbrojtëse

Shtabi Emergjent i komunës së Podujevës për veprime dhe masa parandaluese e mbrojtëse nga Covid-19 në takimin e mbajtur ka shqyrtuar gjendjen aktuale me pandeminë, vendimin e fundit të qeverisë për kufizimin e veprimtarisë në gastronomi, masat mbrojtëse dhe rastin e fundit të vdekjes së një qytetari nga fshati Llaushë.

Nënkryetari i komunës, Nexhmi Rudari, ka informuar anëtarët e shtabit lidhur me gjendjen aktuale epidemiologjike në komunë dhe vendimet e Qeverisë së Kosovës të 5 korrikut, pas shtimit të rasteve me Covid-19 dhe rastin e vdekjes së 80-vjeçarit Sheqir Osmani nga fshati Llaushë, i cili ishte infektuar me këtë virus.

Me këtë rast Shtabi Emergjent i shprehu ngushëllime familjes së të ndjerit.

Nënkryetari Rudari ka thënë se që nga shfaqja e këtij virusi në komunën e Podujevës janë evidentuar 56 raste të personave të prekur me Covid-19, ndërsa 30 persona janë shëruar, kurse 24 raste janë aktive dhe fatkeqësisht dy persona kanë ndërruar jetë si pasojë e këtij virusi.

Gjatë takimit u tha se të gjitha rastet aktive me Covid-19 janë në vetizolim, bashkë me familjet e tyre dhe ato janë nën mbikëqyrjen e ekipit emergjent komunal.

 

Në takim u tha se shqetësuese është moszbatimi i masave mbrojtëse veçmas në rastet e grumbullimit të qytetarëve, në ahengje të ndryshme dhe ceremoni mortore.

Shtabi Emergjent gjithashtu kërkoi që të respektohet vendimi i Qeverisë për reduktimin e stafit të punësuarve në nivel të stafit të domosdoshëm në administratën komunale dhe institucione të tjera.

Shtabi Emergjent në komunën e Podujevës apelon te të gjithë qytetarët që të aplikojnë masat mbrojtëse: maskat dhe të mbajnë distancën sociale.


MË SHUME NGA Nacionale