​Shpend Ahmeti paralajmëron inspektime të rregullta pas orës 21.00
Sharr Travel

​Shpend Ahmeti paralajmëron inspektime të rregullta pas orës 21.00

Prishtina është vatra kryesore e infeksionit me koronavirus në nivel vendi.

Kryeqyteti prin ‘bindshëm’ me 1075 raste, shumica prej të cilave janë konfirmuar fundin e qershorit dhe fillimin e korrikut, duke arritur rekordin parmbrëmë prej 102 infeksioneve të reja.

Kjo ka shtyrë Qeverinë e Kosovës të kufizojë lëvizjen e qytetarëve prej orës 21:00 deri në 05.00 të mëngjesit si masë parandaluese ndaj përhapjes së kësaj sëmundjeje të rrezikshme me të cilën po përballet pothuajse e gjithë bota.

Kryetari Shpend Ahmeti ka paralajmëruar se inspektimet e kafiterive dhe lokaleve afariste, të cilat duhet të qëndrojnë të mbyllura gjatë këtij orari, do të jenë të rregullta dhe ato do të vazhdojnë deri në një vendim tjetër.

AI ka falënderuar ekipet e Drejtorisë së Inspeksionit dhe Policinë e Kosovës për punën e palodhshme dhe përkushtimin gjatë kësaj kohe.

Përveç Prishtinës, kufizimi i lëvizjes për qytetarët po aplikohet edhe në Prizren, Gjilan dhe Vushtrri, ku po ashtu janë shënuar raste të shumta me koronavirus.