Kuçi: Në betejën kundër COVID-19 na mungon Dr. Abaz (Cenë) Krasniqi

Kuçi: Në betejën kundër COVID-19 na mungon Dr. Abaz (Cenë) Krasniqi

Kryetari i komunës së Junikut, Agron Kuçi, në një intervistë për gazetën lokale të Pejës “Zarfi Info”, tha se askush nuk mund ta mohojë faktin se shëndetësia kosovare ka profesionist të shkëlqyer, sepse siç tha ai, kjo më së miri është dëshmuar gjatë kohës së pandemisë.

“Askush nuk mund ta mohojë faktin se shëndetësia kosovare ka profesionist të shkëlqyer dhe të palodhshëm, puna e të cilëve më së miri është dëshmuar muajve të fundit, gjegjësisht në luftën kundër përhapjes së pandemisë COVID-19”, tha kryetari Kuçi, duke rikujtuar kështu sfidat dhe vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar profesionistët shëndetësor.

“Shpesh herë në rrjetet sociale dhe në mediat tona kemi pasur mundësi ti shohim sfidat dhe vështirësitë me të cilat janë ballafaquar dhe vazhdojnë të ballafaqohen mjekët dhe infermierët tanë dhe asnjëherë nuk janë dorëzuar. 

Kemi parë fotografi dhe video-xhirime amatore nga pacientët se si këta heronj flenë dhe pushojnë në korridoret e spitalit. Madje, shumë prej tyre me javë apo me muaj nuk janë takuar me më të dashurit e tyre. Kjo nënkupton se shëndeti dhe jeta e qytetarëve janë në vend të parë, madje edhe para familjes”, tha kryetari Kuçi, duke shtuar se gjatë kësaj periudhe ka filluar të ndjehet mungesa e shumë mantel bardhëve tashmë të ndjerë, kontributi i të cilëve do të ishte mese i domosdoshëm. 

“Komuna e Junikut dhe në përgjithësi shëndetësia kosovare tanimë ka filluar ta ndjejë mungesën e shumë profesionistëve tashmë të ndjerë, kontributi i të cilëve gjatë kësaj periudhe do të ishte i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm. 

Në mesin e shumë emrave që i mungojnë shëndetësisë kosovare në këtë betejë të lodhshme dhe tejet të mundimshme është edhe emri i Dr. Abaz (Cenë) Krasniqit, mjekut dhe veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare për liri dhe pavarësi”, tha kryetari i komunës së Junikut, Agron Kuçi, duke e kujtuar kështu Dr. Abazin si profesionistin dhe njeriun më të përkryer që ka takuar në jetën e tij.

Mes tjerash, kryetari Kuçi ka apeluar tek të gjithë qytetarët e Kosovës që në përpikëri ti respektojnë masat e Qeverisë së Kosovës për parandalimin e përhapjes së COVID-19.


MË SHUME NGA Nacionale