Komuna e Ferizajt mbështetë Qendrën për mbrojtjen e grave e fëmijëve
Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, znj.Kristina Gashi Bytyçi me përfaqësueset e partive politike të KK-së dhe KFOR-in Amerikan-LMT vizituan qendrën për strehimin e viktimave të dhunës në familje, dukuri negative kjo që tani në kohë pandemie fatëkeqësisht ka shënuar rritje në Republikën e Kosovës, ashtu edhe në komunën tonë.
Komuna e Ferizajt mbështetë Qendrën për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve duke shqyrtuar mundësinë për dhënien në shfrytëzim të një parcele e cila do të mbulojë një nga sfidat më të rëndësishme me të cilën përballen dhe do jetë një zgjidhje afatgjate për këtë kategori.
Kërkohet një ndërgjegjësim shoqëror dhe kulturor, bashkëveprim i forcave policore, shërbimeve sociale për trajtimin e viktimave të dhunës në bashkpunim me strehimoret. Me punën dhe përkushtimin tonë maksimal, si politikan, mësues, mjek, avokat, gjyqtar, prokuror, e në çfarëdo kapaciteti publik dhe profesional, i inkurajojmë qytetarët në mbarë vendin të gjejnë mbështetje tek ligji, të kërkojnë drejtësinë si dhe të besojnë në institucione, sepse ato ekzistojnë për t’i mbrojtur ata.
Shoqëria jonë ka nevojë t’i adresojë dukuritë që e kërcënojnë mbarëvajtjen e saj dhe mirëqenien e qytetarit. Përpjekjet tona duhet të përqendrohen në veçanti në krijimin e një ambienti në të cilën fëmijët tanë rriten me kujdes, dashuri, dhe qasje në shkollim, në frymën e edukates, të lirë nga dhuna dhe stereotipet gjinore.
Një qasje e tillë në afat të gjatë do të sigurojë zbatimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe vlerave të tjera që ne i ndajmë me civilizimin evropian.























