Rugova: Kush del kundër SHBA-së është anti-Kosovës
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Naser Rugova, që është pjesë e LDK-së, në emisionin “Imazh” ka folur për reagimin dhe kritikat e tij ndaj Vjosa Osmanit dhe humbjen e besimit në të.
Ai ka thënë se e gjithë struktura e partisë e kishte mbështetur Vjosën për kryeministre në zgjedhjet e fundit. "Jo vetëm unë si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, por komplet struktura e LDK-së, që nga kryetari i partisë, kryesia, Këshilli i Përgjithshëm, degët dhe nëndegët e kemi mbështetur fuqishëm zonjën Osmani si kandidate e LDK-së për kryeministre të Republikës së Kosovës dhe këtu nuk ka gjë të keqe", tha Rugova, duke shtuar se nuk pendohen për mbështetjen e tyre për Osmanin si kandidate për kryeministre dhe se gjithsecilin që do ta kandidonte LDK do të vepronte njëjtë.
Ai po ashtu ka folur rreth deklaratave të fundit të Albin Kurtit, duke thënë: "Kush del kundër SHBA-së, partnerit tonë strategjik, që në njëfarë forme është prijëse prej partnerëve tonë strategjik ndërkombëtarë dhe është më meritorja për lirinë dhe pavarësinë që e gëzojmë sot, thjeshtë për mua është anti-Kosovë dhe ka orientime tjera, ka orientime kah Lindja, ka orientime kah Kremlini, sepse nuk mund ta mendojë ndryshe".
Sipas Rugovës edhe deklaratat e Vjosa Osmanit dhe kritikat e saj për marrëveshjen në zyrën më të rëndësishme të vendimmarrjes botërore, në prani të presidentit të SHBA-së, hapin dilema serioze se a po orientohet edhe ajo tani si bashkëmendimtari i saj (Kurti v.j), duke shtuar tutje se ky është vetëm mendim i tij dhe jo i strukturave të LDK-së.























