Aprovohen çmimet e parkingjeve në kryeqytet
Arbenita Marmullaku
Komuna e Prishtinës ka aprovuar çmimet e parkingjeve në kryeqytet të cilat janë të vlefshme si për parkingjet publike ashtu edhe për ato private.
Çmimet janë të ndara sipas 3 zonave. Këtë e bëri të ditur kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes Prishtina Parking, Liridon Restelica, i cili tha se përfundimisht do të zgjidhen problemet me parking në kryeqytet.
Kuvendi Komunal i Prishtinës ka aprovuar çmimet e parkingjeve në kryeqytet, ka bërë të ditur kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Prishtina Parking”, Liridon Restelica, sipas të cilit, çmimet janë të vlefshme si për parkingjet publike ashtu edhe për ato private. Ai tha për Radio Kosovën se do të menaxhojnë me tre zona.
“ Zona1 është qendra, zona2 e rrethon qendrën dhe zona3 e rrethon zonën e dytë. Tarifat janë 1 euro ora për parkingje komerciale ndërsa 10 euro parkingu mujor për qytetarët ose 100 euro viti, ndërsa në zonën dy është 7 euro muaji ndërsa 50 cent ora, e në zonën e tretë shkon 5 euro parkingu mujor dhe 30 cent ora”, tha Restelica.
Restelica tha se janë duke pritur që të lansohet softuerit për menaxhimin e gjitha hapësirave të parkingjeve në kryeqytet. Megjithatë ai tha se vetëm një pjesë e vogël e qytetarëve nuk po i përkrahin në implementim të projektit për parking.
“Është e natyrshme që ka probleme e uzurpime ka pakënaqësi të një pjese shumë të vogël të qytetarëve, por pjesa dërmuese shumica e njerëzve e kanë mirëpritur dhe kemi përkrahjen e tyre dhe po na lehtësojnë bashkëpunimin në implementimin e projektit tonë” u shpreh ai.
Ndërkaq bëri të ditur se përfundimisht do të zgjidhet problemi me parkingje. Ai tha se tashmë veç kanë filluar punët edhe në hapësira tjera.
“Ju më siguri keni mundur me pa që kanë filluar të shënjezohen të rregullohen hapësirat e parkingjeve dhe ky trend do të filloj ne gjithë kryeqytetin. Në momentin që komuna i rregullon ne i marrim në menaxhim”.
Kryeshefi ekzekutiv i “Prishtina Parking” Liridon Restelica, tha se është shumë optimist se këtë vit do ta lëshojnë edhe aplikacionin i cili është për pagesë online në kryeqytet. Ndërkaq bëri të ditur se në javën e ardhshme ata do të surprizojnë qytetarët.























