Bahtiri uron nxënësit për një fillim të mbarë shkollor
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga drejtori i Arsimit, Egzon Jashari, sot kanë vizituar disa shkolla të qytetit të Mitrovicës me rastin e fillimit të vitit të ri shkollorë.
Fillimisht kryetari Bahtiri dhe drejtori Jashari vizituan gjimnazin “Frang Bardhi”, ku u priten nga drejtoresha e kësaj shkolle, Zybejde Gogoli Latifi për të parë nga afër të gjitha përgatitjet e bëra për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/2021.
Kryetari Bahtiri uroi të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit për fillimin e ri shkollor duke shpresuar për një vit të mbarë e më plotë suksese.
“Uroj të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit për këtë vit të ri shkollor, vit ky mjaftë sfidues jo vetëm për vendin tonë për të gjitha vendet anë e kënd botës. Sot janë hapur të gjitha dyert e shkollave, andaj shpresoj për një bashkëpunim të afërt në mes të mësimdhënësve e nxënësve në rritje të njohurive dhe marrjen e diturive të duhura”, shtoi kryetari Bahtiri.
Ai më tutje ka kërkuar që të respektohen të gjitha rekomandimet e dhëna sipas Udhëzuesit të Ministrisë së Arsimit, për ruajtje të shëndet të fëmijëve, dhe të punohet me zell të madh në edukimin e këtyre gjeneratave të cilët janë e ardhmja e vendit tonë.
Ndërkaq drejtori i DKA-së, Egzon Jashari, ka theksuar se në koordinim të përbashkët me institucionet edukative-arsimore janë bërë përgatitjet e domosdoshme, duke përfshirë dezinfektimin lokal të objekteve shkollore, sigurimin e termometrave digjital për matjen e temperaturës, themelimin e Taks-Forcave të shkollave si dhe hartimin e Planeve të Veprimit sipas Udhëzuesit të Përgjithshëm të MASH-it.
“Janë shpërndarë rreth 185.000 tekste shkollore për 31 institucione edukative-arsimore publike, përfshirë këtu edhe tri shkollat shqipe në tri komunat në veri të vendit dhe për gjashtë institucionet edukative-arsimore private. Në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik – Mitrovicë kemi siguruar 90 teste PCR për testim të mësimdhënësve të të gjitha institucioneve edukative-arsimore të komunës së Mitrovicës. Fatmirësisht, të gjithë mësimdhënësit e testuar më datë 08.09.2020 kanë dal negativë”, ka thënë drejtor Jashari.
Po ashtu në bashkëpunim me UNICEF-in janë siguruar dhe shpërndarë një sasi të konsiderueshme 315 pako të materialit higjenik dhe dezinfektues. Gjithashtu, kemi siguruar dhe shpërndarë 19.000 maska për të gjithë nxënësit tanë duke përfshirë edhe ata në shkollat shqipe në veri të vendit.
Më pastaj kryetari Bahtiri dhe drejtori Jashari kanë vizituar shkollën e mesme ekonomike “Hasan Prishtina”, shkollën e mesme të mjekësisë "Dr .Xheladin Deda" si dhe shkollën fillore “Musa Hoti”, ku është ndarë tejet i kënaqur me nivelin e organizimit të mësimit në këto shkolla.























