“Pishtari”, godina më e lartë në Japoni

“Pishtari”, godina më e lartë në Japoni

Një qiellgërvishtës 390 metra i lartë, i modeluar sipas një pishtari të ndezur, do të bëhet godina më e lartë në Japoni, kur të përfundojë në vitin 2027.

E vendosur në një shesh të ri të mbushur me bimësi në Tokio, kulla do të ketë edhe një verandë panoramike në katin e fundit, për të shijuar pamjet magjike të kryeqytetit, përfshirë edhe Malin Fuxhi. Edhe pse projekti është shpallur që në vitin 2016, dizajni modern dhe i veçantë u prezantua vetëm këtë muaj. E gjithë struktura do të ngrihet në një sipërfaqe prej 31400 metrash katrorë.

Shumica e 63 kateve do të përdoret për zyra, por do të ketë edhe dyqane, restorante dhe një qendër SPA. Në katet e sipërme do të ketë edhe një hotel me rreth 100 dhoma. Kompania ndërtuese, pjesë e Mitsiubishi Motors, thotë se godina do të ndërtohet me nivelin më të lartë të masave për përballimin e tërmeteve.

Godina më e lartë momentalisht në Japoni është kulla 300 metra e lartë Abeno Harukas në Osaka. Në vitin 2023 një tjetër kullë do të kthehet në godinën më të lartë, kur të përfundojë ndërtimi i saj në Tokio, por rekordin duket se do ta mbajë vetëm për 4 vite.