Një nxënës infektohet me COVID në shkollën “Ismail Qemali”
Përkundër të gjitha masave që kanë ndërmarrë kundër përhapjes së pandemisë, një nxënës i klasës së gjashtë në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ismaili Qemali” ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
Menjëherë sot janë testuar edhe 38 nxënësit e kësaj klase të cilët janë dërguar në vetëizolim deri në daljen e rezultateve nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Ndërsa, përkundër që janë testuar nuk janë vetëizoluar 10 mësimdhënësit të cilët kishin kontakt me nxënësin e infektuar me COVID. E në rast se do ketë numër më të madh të nxënësve të infektuar në këtë shkollë nuk e përjashtojnë vazhdimin e mësimit sipas skenarit C që nënkupton mësimin në distancë përmes platformës online.
Drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali”, Kimete Dida, thotë se të shtunën është njoftuar nga IKSHP por edhe nga prindërit se nxënësi ka rezultuar pozitiv me koronavirus.
Ajo për KosovaPress thotë se nxënësi është infektuar nga prindërit të cilët janë pozitiv me këtë virus.
“Të premten jam njoftuar nga prindërit se kanë rezultuar pozitivë, të shtunën është testuar edhe fëmija. Instituti më ka thirr dhe po ashtu edhe prindi më kanë thënë se fëmija është pozitiv. Ai është i izoluar, të gjitha masat i kemi marrë, sot nga Instituti kanë ardhur dhe e kanë bërë testimin e 38 fëmijëve dhe arsimtarëve, shumica e arsimtarëve që kanë dhënë mësim në atë klasë. Të gjithë arsimtarët që kanë pasur kontakt me atë fëmijë janë testuar. Përpos asaj, ne si shkollë i gjithë stafi jemi të testuar si stafi arsimtarëve ashtu edhe stafi teknik, të gjithë kemi rezultuar negativë. Ne para 10 ditëve i kemi bërë testet për të gjithë arsimtarët. Dhjetë arsimtarë kanë bërë testin të shohim se si po rezultojnë”, tha ajo.
Dida tha se asnjë nxënës nuk lejohet të hyjë në shkollë pa i matur temperatura. Ndërsa tregoi se mësimi po zhvillohet në dy ndërrime.
Varësisht nga rezultatet e testeve, drejtoresha e shkollës fillore “Ismail Qemali” thotë se do të veprojnë. Nëse edhe nxënës të tjerë rezultojnë pozitivë, ajo nuk e përjashton mundësinë që mësimi të vazhdojë në platformën online për të gjithë.
Dida thotë se nxënësi, i cili është i infektuar me COVID-19, mësimin do ta vazhdojë online.
“Mësimdhënësit jo, nxënësit po, 38 nxënës janë atë klasë të gjithë janë të izoluar derisa të vijnë rezultatet, nëse dalin negativ fillon mësimin klasa, nxënësi shkon në mësim online. Sipas platformës, momentalisht jemi tek (skenari) A, jemi duke shkuar në katër turne në grupin A dhe B, të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën janë të rregullt në dy grupe, nëse rastësisht kemi ( më shumë raste) shkojmë online”, deklaroi drejtoresha e shkollës “Ismail Qemaili”.
Përveç testimit, Dida tregon se po ashtu është bërë edhe dezinfektimi i klasës ku ka qëndruar nxënësi i infektuar.
“Sot me mëngjes ka ardhur kompania që e dezinfekton, e kanë dezinfektuar gjithë klasën, është dezinfektuar edhe nga punëtorët teknikë. Ne të gjitha masat i kemi marrë. Kemi pasur dy kolege që kanë rezultuar pozitiv para se të fillojë mësimi dhe kur ka filluar mësimi kanë qenë të shëruara”, theksoi Dida.
Të rrezikuar po ndihen edhe prindërit që i dërgojnë fëmijët në shkollën në fjalë.
Mynavere Dermani e cila e kishte sjellë djalin e saj në shkollë thotë se ndihen të rrezikuar pasi virusi bartet tek të gjithë.
“Për këtë kohë të shkurt sa kanë filluar jemi të kënaqur. [...] Nuk jam në dijeni që ka dalë (pozitiv). Normal që jemi të rrezikuar, normal që frikësohemi, por tash duhet të vendos drejtoria çka do bëhet”, tha ajo.
Përveç në shkollën “Ismail Qemali” edhe në disa shkolla të tjerë në Prishtinë por edhe në vend ka raste me COVID-19.
Në 24 orëshin e fundit pozitiv me COVID-19 kanë rezultuar 41 persona, ndërsa betejën me këtë virus e kanë humbur dy persona.























