Flet autori i librit që Specialja po e përdorë si dëshmi kundër Mustafës
BKT
Kosovë

Flet autori i librit që Specialja po e përdorë si dëshmi kundër Mustafës

Libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovë, Zona Operative e Llapit” është përmendur të hënën nga Prokurori i Gjykatës Speciale, si pjesë e provave kundër ish-eprorit të UÇK-së, Sali Mustafa.

Një ditë pas, autori i këtij libri, i botuar në vitin 2008, Skender Zhitia ka folur për gazetën Objektiv.

Ai thotë se nuk është në dijeni se ky libër mund të përdoret si provë kundër Mustafës.

“Se është përmend libri jem në procesin gjyqësor nuk kam informacion, mbrëmë jam njoftuar që në disa portale është lakuar emri im dhe libri im. Për çka dhe si lexohet dhe për çka përdorët unë nuk e di edhe nuk është çështje e imja, është çështje e institucioneve si mund të përdoret. Unë jam krenar që kam nxjerr një studim të tillë, është nderë që kemi arrit me nxjerr një studim përmes të cilit ofrohet tek lexuesi organizmi, mobilizimi dhe lufta e drejtë e UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, ndihem krenar për këtë ”, tha Zhitia.

Megjithatë, Zhitia thotë se për ta shkruar librin i ishte dashur t’i intervistonte drejtuesit e Zonës Operative të Llapit.

E në mesin e tyre ishte edhe Sali Mustafa.

“Sa i përket librit kam marrë paraprakisht një lloj dakordance me ish-drejtuesit e Zonës Operative të Llapit, sepse në të kundërtën një studim i tillë do të ishte i pamundur. Me zotërinë Mustafa nuk jam njoftuar as gjatë luftës sepse kemi qenë në rajone të ndryshme, e kam njoft pas luftës, e kam intervistuar dhe kam biseduar përmes të cilave kemi nxjerrë një mendim, qëllimi ka qenë pasqyrimi i luftës së drejtë të UÇK-së”, shtoi Zhitia.

Por Zhitia nuk ka dashur të komentojë, kur është pyetur nëse është intervistuar nga Prokuroria Speciale e Hagës.

“Është çështje sensitive dhe nuk kish dashtë të lëshohem në komente”, potencoi Zhitia.

Edhe Ish-shefi i shtabit të Zonës Operative të Llapit, Nuredin Ibishi, thotë se e ka lexuar librin në fjalë, por nuk ka parë të ketë elemente inkriminuese brenda tij.

“Është një monografi që përfshinë formimin e UCK në tre kapituj, edhe sa unë e kam lexu dhe sa e mbaj mend përmbajtjen nuk ka elemente inkriminuese. Monografia është në rregull në aspektin përmbajtjesor pasi ka përfshi një periudhë të çmuar të luftës së UÇK-së. Nuk e konsideroj si provë një libër të tillë, një monografi. Nëse ka pas gabime në editimin e parë, kemi pas në plan ta përmisojmë, por jo me u parashtru si provë relevante, por nuk mundem me paragjyku. Mendoj që është e pa qëndrueshme”, përfundon Ibishi.

Sali Mustafa, u arrestua më 24 shtator në Prishtinë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi.

Ai ishte eprori i parë i UÇK-së që u arrestua nga Gjykata Speciale.

 


MË SHUME NGA Kosovë