KEDS po aftëson për siguri në punë nxënësit e 69 shkollave profesionale

KEDS po aftëson për siguri në punë nxënësit e 69 shkollave profesionale

Në kuadër të javës evropiane për siguri dhe shëndet në punë, KEDS ka filluar aftësimin për siguri në punë për nxënësit e shkollave të mesme teknike-profesionale. Tashmë, ekspertët e kompanisë u kanë dhënë njohuri të vlefshme nxënësve të shkollave në Mitrovicë, Drenas, Ferizaj e Kaçanik.

Sipas komunikatës së lëshuar nga KEDS-i thuhet se këta nxënës llogaritet që shumë shpejt mund të hyjnë në tregun e punës, prandaj KEDS është fokusuar pikërisht aty. Që nga e hëna, kur edhe filloi java e sigurisë, trajnerët profesional të kompanisë kanë filluar t’iu ligjërojnë atyre bazuar në materiale të përgatitura enkas për ta.

Zekirja Baftiu, Drejtor i shkollës së mesme profesionale Feriz Guri dhe Vëllezërit Caka në Kaçanik u nda mjaft i kënaqur me ligjërimin e realizuar nga KEDS derisa tha se nxënësit e kësaj shkolle kanë arritur të tregojnë sukses edhe në fushën profesionale duke u angazhuar si punëtor të KEDS. “Vizita e sotme nga KEDS, ku u ligjërua për sigurinë dhe shëndetin në punë ishte shumë e mirëseardhur për nxënësit tanë. Përmes ligjëratave të tilla, ata arrijnë që të aftësohen me njohuri të reja nga ekspertë të fushës së sigurisë dhe shëndetit, duke qenë kështu të gatshëm për tregun e punës.” Ai shtoi se bashkëpunimi me KEDS ka bërë që të rritet interesimi për nxënësit të cilët ende nuk kanë ndarë mendjen se ku të orientohen në shkollim të mëtutjeshëm. “Që kur KEDS ka filluar të marrë në punë nxënës të shkollës tonë përmes KEDS Akademisë, ka pasur interesim të shtuar të nxënëseve për të vazhduar shkollimin e mesëm në shkollën tonë.”- përfundoi Baftiu.

Mjaft i kënaqur me ligjëratën e sotme u nda edhe nxënësi i vitit të fundit të kësaj shkolle, Flakron Tusha. “Ligjërata e sotme na mundësoi të marrim njohuri të reja në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë. Krahas asaj që kemi mësuar deri më sot në shkollën tonë, ligjëruesit e KEDS na informuar me praktika të reja dhe mjaft të nevojshme sesi duhet të ruhemi dhe të kemi kujdes kudo që veprojmë”. – tha Flakroni.

Me qëllim të rritjes së sigurisë edhe për fëmijët, KEDS ka përgatitur gjithashtu një broshurë me skica të detajuara për sigurinë e tyre ndaj kontaktit me energjinë elektrike si brenda shtëpisë, ashtu edhe jashtë saj.

KEDS është kampione e organizimit të sigurisë dhe shëndetit në punë, duke bërë avancime gjigante gjatë viteve të fundit, duke trajnuar e certifikuar në atë aspekt secilin punëtor të terrenit me moton: zero aksidente në punë. Si rrjedhojë, kompania ka krijuar një ekip profesionistësh, një qendër moderne të trajnimit dhe përvojë të madhe e cila po kërkohet madje edhe nga vendet e rajonit.