Napoli, rrugicat e ballkonet zëvendësojnë klasat

Napoli, rrugicat e ballkonet zëvendësojnë klasat

Të bërtiturat në rrugët apo ballkonet, e qytetit të zhurmshëm të Napolit nuk janë asgjë e re, por tani edhe mësuesit dhe nxënësit e tyre po e bëjnë.

Në lagjen e varfër e njohur si “lagjja spanjolle”, mësimi është zhvendosur nga klasa në rrugicat e ngushta dhe me erë, ku përpiqen të ruajnë distancën sociale. Shkollat në rajonin e Kampanjës janë mbyllur në përpjekjen për të luftuar shifrat në rritje të infektimeve.

Mësuesja, Pamela Buda, zgjodhi shkallët publike për të zhvilluar mësimin me dy nxënës të ulur në distancë në secilën shkallë duke lënë vend në mes për kalimtarët.

“Nënat më kanë telefonuar dhe më thanë se fëmijët janë të dëshpëruar, se po qajnë e duan të rikthehen në shkollë. Ata nuk e kuptojnë pse shkolla duhet të mbyllet. Kështu mendova, le të organizohemi, le të takohemi, por duke respektuar rregullat në një vend të hapur”, thotë mësuesja.

Ajo nuk është e vetmja mësuese në Napoli që po gjen alternativë me pak ajër të freskët, ndaj klasave tradicionale. Nën rrobat që varën nga dritaret e që e bëjnë kaq karakteristike lagjen “spanjolle”, do të gjeni edhe Tonino Stornaiuolo dhe kolegun e tij Paolo teksa shpjegojnë duke bërtitur mësimin për fëmijët që dëgjojnë nga ballkonet dhe në rrugët pranë banesave të tyre.

Ata i kanë ndarë klasat në grupe të vogla fëmijësh dhe ruajnë distancën për të minimizuar rrezikun e infektimit. “Doja të gjeja një mënyrë në të cilën fëmijët mund të na shohin dhe mund të kalojnë kohën me ne, të paktën deri sa të shmangim një izolim të ri të mundshëm”, shton Stornaiuolo.  

Autoritetet lokale planifikojnë të vendosin masën e ndalimqarkullimit nga ora 11 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit për të frenuar përhapjen e virusit. Një gjë është e sigurt, nxënësit duken të lumtur të zhvillojnë mësimin në rrugë, e ku i dihet mbase edhe fqinjët do të mësojnë diçka./a2