Komuna e Gjakovës me masa të reja pas rritjes së rasteve me COVID-19
Komuna e Gjakovës ka ndërmarrë masa të reja pas rritjes së rasteve me COVID-19.
Në mesin e masave të ndërmarra është edhe ndalimi i të gjitha takimeve fizike në administratën komunale me të gjitha palët e interesuara.
– Të gjitha kërkesat e palëve të jashtme, duhet të adresohen në mënyrë elektronike. Administrata komunale obligohet që t’iu kthejë përgjigje qytetarëve dhe të gjitha palëve të interesuara po ashtu online.
– Shërbimi i tatimit në pronë dhe ai i ofiqarisë do të jenë të hapura për qytetarë, në përputhshmëri me udhëzuesin për masat ndaj COVID-19.
– Qytetarët që hyjnë brenda objekteve të administratës së komunës, obligohen të jenë të pajisur me mjete mbrojtëse. Në të kundërtën nuk do t’iu lejohet hyrja brenda objekteve për të marrë shërbimet.
– Inspektorati i Komunës bashkë me Policinë e Kosovës duhet të vazhdojnë inspektimet rigoroze lidhur me respektimin e masave kundër virusit, në të gjitha institucionet publike, ato private si dhe në hapësira publike.
Komuna e Gjakovës njofton se zbatimi i këtyre masave fillon nga dita e nesërme, më datë 28.10.2020.
Ndryshe, në Kosovë dhe rajon është duke pasur rritje të rasteve me COVID-19, vetëm në 24-orët e fundit janë konfirmuar 205 raste të reja, kurse numri i viktimave ka arritur në 666.























