Gashi e Abrashi dakordohen për thellimin e bashkëpunimit në infrastrukturë

Gashi e Abrashi dakordohen për thellimin e bashkëpunimit në infrastrukturë

Kryetari i Obiliqit Xhafer Gashi ka takuar sot ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashi, me të cilin ka biseduar për projektet në këtë komunë, në theks të veçantë ato të fushës së infrastrukturës, si dhe sfidat me të cilat po përballen në realizimin e tyre gjatë periudhës me COVID-19.

Në takim është diskutuar edhe për projektet e përbashkëta mes komunës dhe MIT-së, ku kryetari Gashi tha se bashkëpunimi i mirëfilltë ka ndikuar në realizimin e projekteve për të mirën e qytetarëve dhe jetës së tyre.

Kryetari Gashi dhe ministri Abrashi kanë përcjellë nga afër edhe punimet që po zhvillohen për projektet në bashkëfinancim me MIT-në, si Sheshi i Qytetit “Dëshmorët e Kombit” dhe asfaltimi i rrugëve në Haden e Re.

“Në fund të kësaj vizite, duke falënderuar ministrin Abrashi, u dakorduam për thellimin e bashkëpunimit në rritjen e investimeve në fushën e infrastrukturës”, ka shkruar Gashi në Facebook.