Komuna e Prishtinës ndihmon me 5 milionë euro bizneset e vogla e të mesme
Fatmire Dodaj - Radio Kosova
Komuna e Prishtinës ka marrë vendim për t’u dalë në ndihmë me mjete financiare, prej rreth 5 milionë eurosh, bizneseve të vogla dhe të mesme të cilat janë prekur nga pandemia Covid-19. Afati për aplikim për të përfituar nga kjo pako pritet të fillojë gjatë këtij muaji.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, tha për Radio Kosovën se të gjitha bizneset të cilat janë të regjistruara si tatimpagues në Administratën Tatimore të Kosovës mund të aplikojnë për të përfituar nga pakoja 5 milionëshe. Ndër kriteret bazë për të përfituar është madhësia e biznesit dhe numri i punëtorëve, por ka edhe kritere të tjera që do të bëhen publike nga grupi punues.
“Numri i të punësuarve do të jetë prej kritereve përcaktues ose determinues në shpërndarjen e mjeteve financiare të cilat komuna e Prishtinës i ka ndarë. Prandaj, kjo është një ndihmesë e vogël, jashtëzakonisht e vogël nga ana e Komunës së Prishtinës, por sidoqoftë mjaft domethënëse për ato biznese të cilat janë mikro-biznese ose biznese familjare” tha ai.
Nushi më tutje u shpreh se aplikimi do të bëhet përmes ueb faqes e cila tani më është e gatshme. Nënkryetari Nushi po ashtu tha se gjatë muajit nëntor fillon aplikimi dhe do të zgjasë deri në fund të muajit.
“Gjatë nëntorit fillon aplikimi, dhe unë besoj që deri në fund të nëntorit duhet të përfundojë edhe aplikimi i bizneseve. Edhe mandej menjëherë fillon edhe shpërndarja e pakove ose vlerave të caktuara për bizneset.”
Sipas të dhënave që i posedojnë në Komunën e Prishtinës, aktualisht veprojnë rreth 20 mijë biznese.























