Vazhdon mësimi nëpër shkolla në kohë pandemie në Kaçanik
Komuna e Kaçanikut, respektivisht Drejtoria e Arsimit dhe Kulturës (DAK) është duke i zbatuar me përpikëri rekomandimet e MASh dhe IKShP –së për zhvillimin e procesit mësimor në kohë pandemie, duke ndërmarr masat preventive për parandalimin e pandemisë COVID 19.
Institucionet arsimore janë pajisur me të gjitha mjetet higjienike parandaluese dhe mbrojtëse si: maska, sapun, letër, dezinfektues me bazë alkooli, termometër digjital, ndërkohë që në çdo muaj bëhet edhe dezinfektimi DDD (dezinfektimi-dezinsektimi-deratizimi) i objekteve shkollore, ndërsa për çdo ditë është duke u bërë dezinfektimi i rregullt ditor e po ashtu edhe dezinfektimi javor i gjithë hapësirës së objekteve shkollore. DAK, po ashtu, në kuadër të masave për zhvillimin e mësimit në kushte pandemie ka angazhuar 20 mësimdhënës praktikant për një periudhë 6 mujore me mundësi vazhdimi, kurse për mësimdhënësit e atakuar me COVID 19 që nuk ka mundësi zëvendësimi, janë duke punuar online/distancë.
Komuna e Kaçanikut është duke vazhduar me kujdes të veçantë menaxhimin e pandemisë nëpër shkolla, duke ndjekur me përpikëri rekomandimet dhe instruksionet e dhëna nga institucionet qendrore për organizimin e mësimit gjatë kohës së pandemisë.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi së bashku me drejtorin e Arsimit dhe Kulturës Zahir Doda, përcollën nga afër realizimin e mësimit në disa shkolla, ndërsa u ndanë të kënaqu me realizimin e mësimit, duke respektuar rregullat e IKSHP-së. Kryetari Ilazi tha se mësimi po realizohet, ndërsa menaxhimi i pandemisë po bëhet pa asnjë pengesë të theksuar. Kryetari Ilazi po ashtu falënderoi edhe stafin arsimor, të cilët ndryshe nga herët e tjera, për herë të parë po përballen me një situatë më sfiduese, ku është në pyetje shëndeti i tyre e po ashtu edhe i nxënësve. Ndërkaq, sipas Task Forcës së Gjimnazit “Skënderbeu” dhe në koordinim me Task Forcën Komunale dhe duke u bazuar në gjendjen epidemiologjike, që nga e premtja e kaluar, më 13.11.2020, në këtë institucion arsimor, mësimi është duke u zhvilluar sipas skenarit B, për një periudhë dy javore. Pra, në Gjimnazin “Skënderbeu” do të organizohet mësimi i kombinuar; një grup me prani fizike në klasë e grupi tjetër online/në distancë dhe anasjelltas. Po ashtu, për shkak të infektimit me COVID 19 të 4 nxënësve në SHFMU “Emin Duraku “ , mësimin online e kanë filluar edhe 3 grupe të nxënësve të cilave grupe u përkasin nxënësin e infektuar.
Mësimin online janë duke e zhvilluar edhe 2 mësimdhënës në ShMP “Feriz Guri dhe vëllezërit Çaka, si dhe një mësues i ShFMU “Nazmi Osmani” në Elezaj, i infektuar me COVID 19, ditë më parë. Mësimi online është zgjidhje e detyruar pasi nuk kishte mundësi të gjendej zëvendësim nga mësimdhënësit e shkollave përkatëse e as nga lista e mësimdhënësve rezervë (praktikantët) që disponon Komuna.
Ndryshe të gjitha institucionet tjera arsimore në Komunën e Kaçanikut, janë duke punuar sipas skenarit A, pra me prezencë në shkollë, me përjashtim të grupeve të klasave të lartpërmendura e klasave të mësimdhënësve të infektuar apo vetizoluar të cilët janë duke vijuar mësimin në distancë, sipas kalendarit shkollor të vitit 2000-2021 dhe me masa të shtuara.























