Një paciente me Covid-19 sjell në jetë binjakët, ndërsa vetë ishte në koma

Një paciente me Covid-19 sjell në jetë binjakët, ndërsa vetë ishte në koma

Një paciente e infektuar me Covid-19 ka sjellë në jetë dy binjakë ndërsa ishte në gjendje kome.

Kur gruaja u zgjua nga koma e kishte shumë të vështirë të besonte se binjakët ishin dy fëmijët e saj. Kjo mund të quhet vërtet një mrekulli në kohë koronavirusi.

Perpetual Uke, konsulente e reumatologjisë në qytetin e Birmingham-it, filloi të ndihej keq në fund të muajit mars. Më pas u shtrua në terapi intensive, me ventilator dhe u fut në gjendje kome të induktuar për ta ndihmuar atë të rikuperohej. Foshnjat lindën me prerje cezariane, më 10 prill ndërsa ishin 26 javëshe.

Gruaja qëndroi në koma edhe për 16 ditë të tjera.

“Ishte vërtet e tmerrshme … çdo ditë që kaloja shpresoja se gruaja ime nuk ishte në mesin e atyre që kanë vdekur”, tregon burri i Ukes, Matthew.

Kur gruaja, e cila është nënë edhe e dy fëmijëve të tjerë u zgjua nga koma pas dy javësh nuk besonte se dy binjakët ishin të saj megjithëse stafi i spitalit ia thoshte.

“Kur më treguan foto, ata ishin aq të vegjël, nuk dukeshin aspak si foshnje të zakonshme. Nuk më besohej që ishin fëmijët e mi”, tha ajo.

Binjakët, Sochika Palmer peshonte vetëm 770g, ndërsa vëllai i saj, Osinachi Pascal, 850g.

Binjakët u larguan nga spitali pasi kaluan 116 ditë atje, dhe po “ bëhen më mirë dita ditës “, thotë zonja Uke.

“Nuk do doja asnjëherë që ata të kalonin një vështirësi të tillë që në lindje. Ata nuk mundën të shikonin mamanë e tyre për dy javë, gjë që sigurisht më bëri shumë të mërzitur , ama fatmirësisht, gjërat janë në normalitet.”