​Gjilani pranon 175 laptopë nga organizata gjermane GIZ për nxënësit

​Gjilani pranon 175 laptopë nga organizata gjermane GIZ për nxënësit

Komuna e Gjilanit ka filluar sot me shpërndarjen e 175 laptopëve për nxënësit e shkollës fillore “Thimi Mitko”, të cilët kanë nevojë për ndjekjen e programeve online.

Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili ishte i pranishëm në këtë ngjarje, tha se organizata GIZ është njëri nga partnerët më të mëdhenj të Gjilanit në sektorin e arsimit.

“Falënderoj GIZ-in për këtë mbështetje. Faleminderit, po ashtu, edhe menaxhmentit të “Thimi Mitkos” për punën e madhe që po e bëjnë me mësimdhënësit e nxënësit. Fëmijët përfitues janë kategori e familjeve që kanë nevojë. Besoj shumë që në Gjilan po vendosim barazi sociale në shkolla, sikurse edhe në investime dhe në jetën tonë shoqërore”, ka thënë Haziri.

Drejtori i Arsimit Nazim Gagica ka thënë se mësimi në këtë komunë po zhvillohet normalisht, duke shtuar se Gjilani është komuna që nuk e ka të mbyllur asnjë shkollë deri më tash.

Ndërsa drejtoresha e shkollës “Thimi Mitko”, Sevdie Sadiku, tha kjo është një ndihmë e madhe për të gjithë këta nxënës, të cilët nuk kanë mundur t’i ndjekin mësimet online për shkak të mungesës së laptopëve.

Në fund, kryetari Haziri njoftoi se po vazhdon të implementohet programi i rëndësishëm Wireles Free për ta shfrytëzuar të gjithë ata që kanë nevojë.


MË SHUME NGA Nacionale