Mbahet debati që u dedikohet grave të komunitetit RAE për vendimarrje
BKT
Kosovë

Mbahet debati që u dedikohet grave të komunitetit RAE për vendimarrje

Forumi për Lidership dhe Diplomaci, sot (07.12.2020) ka organizuar Debatin “Si ta ndërtojmë një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe të barabartë” në kuadër të Projektit “Akademia-Ngritja e pjesëmarrjes së Grave rome, ashkali e egjiptiane në qeverisje dhe ekonomi në Kosovë.

I mbështetur financiarisht nga Këshilli i Evropës, projekti u dedikohet vajzave dhe grave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian për t’i fuqizuar me njohuri dhe përgatitur për vendimmarrje.

Drejtoresha Ekzekutive e Forumit për Lidership dhe Diplomaci (FLD), Njomza Emini, në prezencë të Ambasadorit gjerman Joern Rohde, koordinatores për zhvillim pranë Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson dhe bashkëthemelueses së FLD-së, Adelina Emini, përshëndeti pjesëmarrëset dhe i falënderoi ato për prezencën e tyre në këtë debat shumë domethënës për këto komunitete.

Ndër të tjera, Emini, deklaroi: “Sukseset e mëhershme të Akademisë për Lidership gjatë edicionit të parë, ku jeni dëshmitare edhe ju vajza të dashura, kanë qenë motiv për aplikimin dhe pjesëmarrjen tuaj edhe në këtë projekt. Gjatë këtyre aktiviteteve duhet që të fokusohemi te një qëllim krahas ngritjes profesionale e shoqërore të çdonjërës nga ne, duhet ta dimë që do shërbejmë si model edhe për shumë vajza dhe gra tjera që për shumë arsye, sot nuk janë me ne. Ato gjatë kohës sa do përcjellin këto aktivitete do shohin te ju mundësi, do shohin te ju zërin e munguar dhe do shprehin vullnetin ndoshta që në të ardhmen e afërt në aktivitete dhe projekte tjera të marrin pjesë përmes ofrimit të përvojave që ato kanë kaluar dhe të mësojnë gjëra të reja”.

Gjithashtu, ambasadori gjerman Rohde dhe koordinatorja për zhvillim pranë Kombeve të Bashkuara në Kosovë, falënderuan Emini për organizimin, duke premtuar mbështetje për përmirësimin e kushteve të vajzave dhe grave nga të gjitha komunitetet, gjithnjë për pjesëmarrje në vendimmarrje.


MË SHUME NGA Kosovë