Bytyqi: Pandemia krijoi shumë sfida këtë periudhë
BKT
Kosovë

Bytyqi: Pandemia krijoi shumë sfida këtë periudhë

Arsimtari i Matematikës dhe kujdestari i klasës VI/6, Naim Bytyqi, në Shkollën “Ismail Qemali”, në Prishtinë, thotë se nga përvoja e tij 30 vjeçare në arsim, ky ka qenë viti më i vështirë ndoshta se ai i viteve 1991-92.

Sipas tij ky vit filloi me vonesë, pastaj nga skenari A kaluan në atë C, megjithatë organizimi në shkollë ai thotë se ka qenë shumë i mirë dhe me njohuritë e tyre që kanë në informatikë janë munduar që edhe mësimin online ta realizojnë suksesshëm.

Ai thotë se vendosja e shkollës “Ismail Qemali” online për dy javë për shkak numrit të të infektuarve është kundërshtuar nga “task forca” e shkollës, megjithatë si vendim të institucioneve shëndetësore është dashur të respektohet.

Bytyqi i cili është edhe përfaqësues i Shoqatës Sindikale të Shkollës, thotë se disa shkolla nuk janë atakuar nga pandemia dhe kanë realizuar mësimin me sukses. “Hendikepi më i madh ka qenë ora mësimore e shkurtë, por takimi fizik me nxënës ka treguar më shumë rezultat, se mësimi online.

Kurrikula parasheh brenda orës 2-3 elemente vlerësimi, e tani që është kohë pandemie edhe instrumentet e vlerësimit nuk mund të jenë qind për qind”, thotë ai.

Arsimtari i Matematikës, thotë se nuk e di nëse vlerësimi për nxënësit ka arritur të bëhet suksesshëm nga arsimtarët të paraparë më kurrikulë sepse për herë të parë janë ballafaquar edhe arsimtarët edhe nxënësit.

“Mundësia e vlerësimit korrekt nuk është arritur e në këtë kohë fatkeqësisht kanë humbur fëmijët të cilët në pushime po shkojnë të zhgënjyer”, tha ai.

E ata që më shumti e kanë pësuar sipas tij, janë klasat e gjashta të cilët për herë të parë janë takuar me arsimtarët, kurrikulën e re, mënyrën e vlerësimit etj.

“Nuk është gjetur mënyra e qëlluar që ta ngrisim moralin e tyre që në shtëpi mos të shkojnë të dëshpëruar, por shpresojmë që me fillimin e mësimit në periudhën e ardhshme, kjo situatë do të kalojë dhe do kemi mundësi për më shumë”.

Arsimtari Naim Bytyqi shpreson që pranvera do të jetë e begatë dhe t’i gjejë të gjitha palët e përgatitura, arsimtarët më stabil dhe të disponuar në mënyrë që suksesi të jetë i gjithanshëm, kur dihet se nxënësit për disa vjet kanë qenë vetëm me një mësuese dhe tani në klasën e gjashtë menjëherë me një grup të madh të arsimtarëve, e secili me metoda të veta vërtet sfiduese kjo periudhë.


MË SHUME NGA Kosovë