NASA: Viti 2020, më i nxehti në histori

NASA: Viti 2020, më i nxehti në histori

NASA: Viti 2020, më i nxehti në histori Agjencia amerikane për studimin e hapësirës, NASA, ka thënë se viti i kaluar ishte viti më i nxehtë në histori. Në këtë rekord ndikoi ngrohja globale, e cila solli temperatura shumë të larta, uragane të mëdha dhe zjarre të shumta në natyrë.

NASA njoftoi se temperatura mesatare botërore në tokë dhe oqeane gjatë vitit 2020 ishte më e larta që është regjistruar ndonjëherë, duke e kaluar edhe rekordin e vitit 2016 për më pak se një e dhjeta e një grade.

Sidoqoftë, për shkak të metodave të ndryshme që janë përdorur gjatë hulumtimeve, Administrata Kombëtare për Oqeani dhe Atmosferë e Shteteve të Bashkuara vitin 2020 e vlerësoi si të dytin më të nxehtin, pas vitit 2016. Në vend të dytë vitin 2020 e vendosi edhe Zyra Meteorologjike e Britanisë së Madhe.

Pavarësisht këtyre dallimeve të vogla, të gjitha të dhënat përsëri e treguan trendin e ngrohjes së planetit për shkak të djegies së karburanteve, shpyllëzimit dhe aktiviteteve të tjera të njeriut, shkruan The Guardian.

Shtatë vitet më të ngrohta të Tokës janë shënuar radhazi nga viti 2014, ndërsa dhjetë vitet më të ngrohta janë shënuar në 15 vjetët e fundit. Tani janë 44 vjet radhazi që kanë pasur temperaturë globale mbi mesataren e shekullit XX.

Shkencëtarët thonë se kriza klimatike është duke i ndryshuar në mënyrë dramatike proceset mjedisore në mbarë botën. Masa mesatare vjetore e akullit tashmë është më e vogla që është regjistruar ndonjëherë. Shtresa mesatare vjetore e borës në hemisferën veriore ishte e katërta më e ulëta që është regjistruar ndonjëherë.