Probleme me ngrohje, mësimi dështon në dy shkolla të Prishtinës

Probleme me ngrohje, mësimi dështon në dy shkolla të Prishtinës

Shkolla “Zenel Hajdini” në Prishtinë ka kthyer prapa nxënësit në paraditën e sotme. Një problem me kaldajën në këtë shkollë ka pamundësuar ngrohjen, për çka është marrë vendimi që mësimi të pezullohet paraditën e sotme.

Drejtuesit e shkollës kanë intervenuar menjëherë, duke zgjidhur ndërkohë problemin me kaldajën.

“Ka qenë një problem me kaldajë, i cili është regulluar më pas. Mësimi do të fillojë sot në orën 13:00, andaj ftojmë të gjithë nxënësit që të vazhdojnë mësimin në këtë orar që nga dita e sotme”, ka thënë koordinatori i shkollës, Afrim Gërbeshi.

Mësimi nuk është mbajtur dhe nuk do të mbahet fare gjatë ditës së sotme në shkollën “Mehmet Xhevori”.

Një prishje e trafos ka lënë shkollën pa energji elektrike, duke pamundësuar ngrohjen në temperaturat e ulëta të dimrit. Me vendim të drejtorit të shkollës, mësimi ka kaluar në sistemin online në këtë shkollë./Indeksonline/