Procesi i legalizimit në Komunën e Prishtinës është duke vazhduar
Ardiana Hajzeri
Komuna e Prishtinës, në korrik të vitit 2019, ka filluar procesin e legalizimit të objekteve të ndërtuara pa leje.
Zyrtarë të kësaj komune, kanë bërë të ditur se numri i qytetarëve që po aplikojnë për çdo ditë është duke u rritur. Që nga hapja e këtij procesi e deri më tani, 1859 aplikacione janë trajtuar, nga të cilat 591 prej tyre u janë lëshuar certifikata të legalizimit.
Procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje në Komunën e Prishtinës, që ka filluar në korrik të vitit 2019, është duke vazhduar ende. Ushtruesja e detyrës se Udhëheqësit të Sektorit të Legalizimit në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Lindita Beqiri, në një përgjigje përmes postes elektronike për Radio Kosovën ka bërë të ditur se çdo ditë e më shumë është duke u rritur numri i qytetarëve që po aplikojnë për legalizim të objekteve që nuk kanë pasur leje ndërtimi deri më tani.
“Procesi i legalizimit në Komunën e Prishtinës është duke vazhduar dhe çdo ditë e më shumë është duke u rritur numri i aplikacioneve sidomos nëpër lagjet ku aplikuesit pajisen me certifikatë të legalizimit, andaj në këtë sektor shpresojmë që të ketë sa më shumë aplikues. Duke pasur parasysh numrin e madh të ndërtimeve pa leje në Komunën e Prishtinës, interesimi i qytetarëve është duke u rritur çdo ditë e me shumë”, ka thënë Beqiri.
Po ashtu, Beqiri bëri të ditur se janë rreth 46 mijë e 500 ndërtime pa leje që janë të identifikuara. Dhe se që nga fillimi i këtij procesi, 1 mijë e 859 aplikacione janë trajtuar, nga të cilat 591 aplikacioneve u janë lëshuar certifikata të legalizimit.
“Gjatë kësaj periudhe janë gjithsej 1859 aplikacione të trajtuara, nga të cilat 591 aplikacioneve u janë lëshuar certifikata të legalizimit. Janë gjithsej rreth 6500 aplikime të legalizimit me programe të mëhershme ndërsa numri i ndërtimeve pa leje në Komunën e Prishtinës është rreth 46, 500 të identifikuara”, ka shtuar Beqiri.
Kostoja e pagesës për një metër katror është 1 euro për objekte të kategorisë së parë për shtëpi familjare, ndërsa 2 euro për objekte të tjera. Ditë me parë Komuna e Prishtinës ka përditësuar platformën e legalizimit në Prishtinaonline për t`ua lehtësuar qytetarëve mënyrën e aplikimit për legalizime. Afati i rregullt ka përfunduar me 5 Shtator 2020, ministria me vendim ka vazhduar afatin për dorëzimin e Aplikacioneve deri në Shtator të 2021, me mundësi vazhdimi deri shtator 2022.























