Agim Bahtiri nënshkruan kontratën për ndërtimin e Parkut Industrial
Kryetari i Komunës së Mitrovicës u jep lejen katër kompanive vendase.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me përfaqësuesit e katër bizniseve vendore, kanë nënshkruar kontratat për dhënien e parcelave dhe fillimin e investimeve në Parkun Industrial, në fshatin Frashër të Mitrovicës.
Përmes nënshkrimit të kontratës, këtyre biznisive iu mundësohet shfrytëzimi i pronës komunale falas në periudhë kohore prej 99 vjetësh në Parkun Industrial në Frashër, Zona e Lirë Ekonomike e Mitrovicës.
Kryetari Bahtiri, pasi i ka përgëzuar përfituesit e tokës për zhvillimin e veprimtarive të tyre biznisore, ka theksuar se Komuna është duke bërë shumë që të krijojë kushte sa më të mira për investime në projekte të ndryshme që ndihmojnë zhvillimin ekonomik të qytetit, si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Ndërkaq, përfaqësuesit e bizniseve përfituese potencuan që ky është një moment i rëndësishëm në rrugëtimin e tyre biznisor për zgjerimin e mëtejmë të bizniseve të tyre, që përfshijnë fusha të ndryshme, nga materialet ndërtimore, industriale etj.
Ata prezantuan edhe fushat, në të cilat do të bëhen investime, vlera e të cilave arrin në 2 milionë e 524 mijë euro dhe të cilat sigurojnë 147 vendeve të reja të punës.
Këto biznise shumë shpejt do të fillojnë implementimin e projekteve të tyre, kurse komuna garanton lehtësimin e procedurave të nevojshme për përparimin sa më të shpejtë të tyre.























