Aktakuzë ndaj një personi për vrasje të rëndë

Aktakuzë ndaj një personi për vrasje të rëndë

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit C.I., për shkak të veprave penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173 paragrafi të KPRK-së, “Vrasje në tentativë”, nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, si dhe, “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, në muajin Korrik të vitit 2020, në fshatin Bardhaniq, komuna e Gjakovës, i pandehuri C.I., me dashje, ka privuar nga jeta N.M., në shtëpinë e tij, ku përderisa tani i ndjeri ishte në dhomën e gjumit, i pandehuri e merr në kuzhinë një thikë e një çekan hekuri, ku e përdorë për ta hapur derën e dhomës, dhe e godet atë me thikë disa herë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Në dhomën e gjumit ishte prezent edhe bashkëshortja e tij, D.M, ku i pandehuri e godet edhe atë me thikë në krahun e majtë dhe në dorën e djathtë.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Gjithashtu i njëjti shkon edhe në dhomën tjetër ku ishte prezent djali i viktimës, M.M., duke e goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këto veprime i pandehur ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente, që i pandehuri C.I., të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë./Kosovapress/