Lekaj: Nga qeveria Kurti mund të presim vetëm retorikë
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka kritikuar qeverinë Kurti për mungesë të vendimeve në këto tri javë të qeverisjes.
Ai ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se deri më tani kjo qeveri nuk ka bërë asnjë veprim në dobi të interesit qytetar.
Sipas Lekajt, të vetmin vendim që ka marrë kjo qeveri është karatinimi parcial i vendit.
“Jemi dëshmitarë që deri më tani kjo qeveri nuk ka bërë asnjë veprim në dobi të interesit qytetar dhe për çfarë e kanë marrë besimin e qytetarëve. Të vetmit vendim që e kanë marrë është karantinimi parcial, e cila u vërtetua që është i paefektshëm dhe që e dëmton edhe më shumë sektorin e gastronomisë”, ka thënë Lekaj.
Ai ka deklaruar se nuk ka ndonjë pritje të mëdha nga qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Sipas Lekajt, prej kësaj qeverie mund të pritet vetëm retorikë boshe.
“Nga kjo qeveri nuk presim ndonjë sukses madhor në qeverisje përveç retorikës boshe. Edhe në këto pak ditë qeverisjeje, tani më vërehen që qytetarët veçse janë zhgënjyer me këtë qeveri, e cila nuk e ka prioritet luftimin e pandemisë dhe zhvillim ekonomik por pjesëmarrjen në zgjedhjet në Shqipëri”, ka thënë Lekaj.
Zyrtari i lartë i AAK-së ka folur edhe për opozitarizimin që do ta bëjë AAK-ja në këtë mandat.
Sipas tij, AAK-ja parësore do ta këtë mbrojtjen e interesit qytetar. “Aleanca do të jetë një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesit qytetar. Pavarësisht pozicionit, gjithmonë kemi treguar se jemi konsistent në qëndrime tona”, është shprehur Lekaj.
Nënkryetari i AAK-së ka kritikuar qeverinë edhe për masat e reja anti-Covid.
Lekaj ka bërë me dije se me këto masa do të hapet rruga për shpenzim të parasë nga ana qytetarëve në vendet e rajonit. “Ne si AAK që në fillim e kemi paralajmëruar qeverinë që me këto masa vetëm se do të hapet rruga për shpenzim të parasë nga ana qytetarëve në vendet e rajonit. Kjo u vërtetua edhe këtë vikend, ku mbi 28 mijë qytetarë të Kosovës kaluan kufirin me Shqipërinë, duke shpenzuar të hollat e tyre jashtë vendit, ndërkohë që shumë biznese në vendin tonë janë mbyllur dhe rrezikojnë falimentimin”, ka theksuar Pal Lekaj, nënkryetar i AAK-së.























