QKSS pjesë e projektit PAVE, zbatohet në shtatë shtete nga 13 institucione

QKSS pjesë e projektit PAVE, zbatohet në shtatë shtete nga 13 institucione

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), organizata kryesore në Kosovë në lidhje me hulumtimin e çështjeve të sigurisë, është pjesë e një partneriteti ndërkombëtar për të zbatuar një projekt trevjeçar të financuar nga instrumenti Horizon2020 i Bashkimit Evropian, i quajtur PAVE.

Projekti PAVE (Parandalimi dhe Adresimi i Ekstremizmit të Dhunshëm përmes Reziliencës së Komunitetit në Ballkanin Perëndimor dhe rajonin MENA), synon të trajtojë çështjen globale të radikalizimit duke shqyrtuar shkaqet e tij kryesore dhe faktorët nxitës.

QKSS do të udhëheqë përpjekjet kërkimore mbi radikalizimin dhe de-radikalizimin e rregullt dhe atë online (internet). Hulumtimi do të kryhet në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, si dhe në Liban dhe Tunizi dhe rezultatet do të ndihmojnë në nxjerrjen e një analize të rëndësishme krahasuese. Fokusi do të jetë në hulumtimin e faktorëve të cenueshmërisë, si dhe faktorët që u japin komuniteteve forcë për t’i rezistuar ose sprapsur përpjekjet e ndikimit të radikalizimit.

Mentor Vrajolli, drejtori ekzekutiv i QKSS, tha se është një e arritur e madhe për organizatën që të jetë pjesë e kësaj përpjekje ndërkombëtare hulumtuese dhe se duke pasur parasysh se ka rritje të formave të ndryshme të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Evropë dhe në mbarë botën, ekziston një nevojë për një strategji të përbashkët politike dhe masa efektive parandaluese. Tutje ai shtoi se është veçanërisht e rëndësishme të shikojmë kontekstet lokale, rajonale dhe kombëtare të ekstremizmit të dhunshëm për të nxjerrë mësime konkrete për Politikën e Përbashkët të BE-së të Sigurisë dhe Mbrojtjes dhe zgjerimin e fushës së angazhimit të jashtëm të BE-së.

Vrajolli shpjegoi se fokusi i këtij projekti nuk është vetëm në radikalizimin me bazë fetare, por edhe në radikalizmin etno-politik, që ai thotë se është veçanërisht shqetësues për Kosovën.