Haradinaj kujton Ukshin Hotin

Haradinaj kujton Ukshin Hotin

Zëri moral i shoqërisë shqiptare, intelektual kryengritës, trim e guximtar që nuk u thye kurrë. I tillë ishte Ukshin Hoti.

Rrezatues mbi injorancën, që asnjëherë nuk e lejoi korruptimin e dijes, ai ishte ndër intelektualët dhe diplomatët e parë të Kosovës, i cili e arsyetoi dhe zbërtheu në teori e praktikë, kërkesën e shqiptarëve të Kosovës për lirinë, barazinë dhe Republikën.

Ai formësoi mendimin politik shqiptar në dy dekadat e fundshekullit njëzet, frymëzoi kryengritjen të cilën e jetësoi brezi i UÇK-së. Ai promovoi etikën politike, sepse politika pa etikë nuk nxit ndjenjën e përgjegjësisë shoqërore, duke u bërë shembull që duhet ndjekur nga elitat politike të shqiptarëve gjithandej.

Për shkak të këndvështrimit të tij të veçantë politik, ai shfaqte rrezik të përhershëm për regjimin. Ai u përndjek dhe u burgos nga organet e pushtuesit, e më pas u zhduk fizikisht, e ne ende nuk kemi përgjigje për fatin e tij. Por, ata kurrë nuk arritën të shuajnë idetë, të cilat me krenari vazhdojmë t’i ndjekim.

Ne asnjëherë nuk duhet të ndalemi së kërkuari drejtësi për të gjitha krimet që pushtuesi serb i kreu në vendin tonë, në respekt të veprës e sakrificës jetësore të Ukshin Hotit dhe mijëra bashkëkombasve tanë, që pësuan nga gjenocidi.

RH