Zvicër: Në vitin e koronës kishte 11 për qind më pak dënime

Zvicër: Në vitin e koronës kishte 11 për qind më pak dënime

Autoritetet paralajmërojnë, megjithatë, se përkundër numrit të zvogëluar të dënimeve nuk është ende e qartë nëse ka pasur vërtet më pak krime.

Zyra Federale e Statistikave ka njoftuar sot se sa dënime ka pasur në Zvicër vitin e kaluar. Në njoftim mund të shihet se shifrat janë shumë më të ulëta se ato në vitin 2019.

11 për qind më pak dënime janë shqiptuar vitin e kaluar krahasuar me 2019. Gjithsej 95,000 veta janë regjistruar në regjistrin penal, gjatë periudhës në fjalë, shkruan srf.ch.

Zyra Federale e Statistikave (BFS) më tutje thotë se ulja e numrave është regjistruar në të gjitha fushat, transmeton albinfo.ch. Kështu, gjatë vitit 2020 ka pasur 17 për qind më pak dënime sesa në vitin 2019 për shkelje të Ligjit për të Huajt dhe Integrimin. Dënimet për shkeljet që lidhen me tregtinë e drogës gjithashtu kanë rënë (- 14 për qind).

BFS vëren se pandemia Covid 19 pritet të ketë pasur një ndikim në numrat në fjalë. Kështu, incidentet ku përfshihen shoferët e dehur, për shembull, janë ulur për 15 për qind. Dhe kjo mund të lidhet drejtpërdrejt me mbylljen e restoranteve dhe bareve.

Autoritetet paralajmërojnë, megjithatë, se përkundër numrit të zvogëluar të dënimeve nuk është ende e qartë nëse ka pasur vërtet më pak krime, përcjell albinfo.ch. Sipas tyre, është gjithashtu e mundur që numrat aktual të pasqyrojnë prapambetjen e autoriteteve në trajtimin e procedurave penale. BFS nuk pret gjetje të sakta në këtë drejtim për një ose dy vitet e ardhshme.