Shala: Thoma Gëllçi e zhvilloi RTSH-në
BKT
Kosovë

Shala: Thoma Gëllçi e zhvilloi RTSH-në

Ish Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala, ka vlerësuar shumë punën e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, Thoma Gëllçi, në avancimin e Transmetuesit Publik Shqiptar. Thoma Gëllçi ka përfunduar mandatin 5 vjeçar në RTSH dhe Këshilli Drejtues nuk ia ka vazhduar mandatin.

Postimi i plotë i z.Shala:

Sot e mora e vesh që Thoma Gëllçi, Drejtor i Përgjithshëm i RTSH e paska përfunduar mandatin dhe Këshilli Drejtues i Transmetuesit Publik Shqiptar nuk ia paska vazhduar mandatin!

E njoha Thomain pasi u zgjodh Drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së, pesë vite më parë. Në takimin e parë Thomai më la një përshtypje të një Drejtori mendjemadh, pak arrogant dhe i vështirë për të bashkëpunuar me të. Por doli që kjo përshtypje imja të jetë gabim! Sa herë që takoheshim e flisnim për zhvillimet teknologjike dhe avancimin e Transmetuesit Publik, Thomai ishte vizionar. Kishte njohuri të jashtëzakonshme për teknologjitë e reja, për programin, dhe e njihte jashtëzakonisht mirë rolin e transmetuesit publik. Dhe para së gjithash, Thomai ishte një mik i jashtëzakonshëm! Kishte ide fantastike për bashkëpunimin mes dy Transmetuesve Publik (shqiptar dhe kosovar). Transmetuesin Publik Shqiptar, Thomai e shndërroi në një konkurent serioz në tregun medial shqiptar, duke pasur parasysh gjendjen në të cilën e gjeti RTSH-në kur e mori detyrën. Fillimisht krijoi platformën prej dhjetëra kanaleve televizive, hapi kanalet regjionale të RTSH-së, krijoi platformën e avancuar online OTT, fuqizoi median online, krijoi balancën profesionale në lajmet dhe programet e RTSH-së, që nuk e kishin deri në ardhjen e tij si drejtor. Me ardhjen e Thomait në krye të RTSH-së, opozita shqiptare për herë të parë kishte hapësirën e njëjtë në programet e RTsH-së sa edhe pushteti dhe me një qasje mjaft profesionale. Thomai e ndërroi RTSH-në! E futi në binarët e duhur ashtu siç duhet të jetë një Transmetues Publik. Personalisht mendoj se Thomai i duhej ende RTSH-së! Por, ja që politika ka vendosur që më nuk do të jetë dhe kjo tregon që ata nuk ishin të kënaqur me të! E kur politika nuk është e kënaqur me një Drejtor të Përgjithshëm të RTSH, kjo tregon se ai Drejtor e ka kryer punën me profesionalizëm dhe nuk iu është nënshtruar! Thomai nuk iu nënshtrua asnjëherë politikës, as pushtetit e as opozitës! Iu nënshtruar profesionalizmit! Prandaj, nuk ia vazhduan mandatin!

Miku im, Thoma Gëllçi, të uroj suksese në jetë dhe në punët tuaja të ardhshme!

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm


MË SHUME NGA Kosovë