Jeff Bezos dhe tre të tjerë udhëtuan me sukses në hapësirë

Jeff Bezos dhe tre të tjerë udhëtuan me sukses në hapësirë

Miliarderi amerikan, Jeff Bezos, udhëtoi me sukses sot në hapësirë me anijen raketë të ndërtuar nga kompania e tij, Blue Origin. Fluturimi i tyre zgjati 11 minuta, njofton Portalb.mk.

Ai u shoqërua nga vëllai i tij, Mark, një pilote 82-vjeçare, Wally Funk, dhe një student 18-vjeçar, Oliver Daemen.

Ekuipazhi ishte i përbërë tërësisht nga civilë dhe pa pilot, gjë që ndodh për herë të parë në histori. Disa minuta pas ngritjes, ekuipazhi i anijes arriti hapësirën ajrore dhe pas një udhëtimi të shkurtër kapsolla u kthye në Tokë.

Raketa e tij Blue Origin arriti lartësinë 66 milje, që është 10 milje më shumë se lundrimi në hapësirë i miliarderit tjetër Richard Branson më 11 korrik.

“Ta shohësh Tokën nga hapësira, është një gjë që ju ndryshon. Ju ndryshon marrëdhënien tuaj me këtë planet, me njerëzimin”, tha para se të nisej Bezos për kanalin televiziv CBS.

“Është një gjë që kam dashur ta bëj gjithë jetën time”, shtoi ai.

Lauren Sanchez, e dashura e miliarderit, tashmë astronaut amator, e priti atë vetëm disa momente pasi shkeli në tokë pas udhëtimit të tij të suksesshëm në hapësirë. Gjithashtu Bezos u pa fillimisht të përqafonte nënën e tij Jacklyn menjëherë pas daljes, dhe më pas të kthehej nga e dashura e tij.

Sanchez – ish-lexuese lajmesh – shihej që hidhej dhe brohoriste për Bezos e të tjerët me një shishe shampanje në dorë.

Fëmijët e Bezos, të cilet i i ka me ish-gruan MacKenzie Scott, ishin gjithashtu aty për rikthimin e babait nga hapësira.

Shishe shampanje u hapën menjëherë sapo grupi doli nga kapsula e uljes. Vetë Bezos doli nga kapsula me kapele ‘cowboy’ në kokë.

Bezos ka themeluar kompaninë e tij hapësinore Blue Origin në vitin 2000, për të zhvilluar turizmin e fluturimit hapësinor.


MË SHUME NGA Kuriozitete